Një tjetër jetë e re është shuar pas konsumimit të fostoksinës, duke rikthyer edhe një herë alarmin për përdorimin e kësaj substance vdekjeprurëse në Shqipëri.Më 10 mars, 25-vjeçarja Xhuana Nikolli nga Lezha humbi jetën në spitalin e QSUT në Tiranë, pasi dyshohet se kishte konsumuar fostoksinë. E reja mbërriti në spital pa shenja jete dhe sipas dyshimeve paraprake dyshohet se ka pësuar arrest kardiak si pasojë e helmimit. Rrethanat që e çuan drejt këtij akti mbeten ende të paqarta, por familjarët kanë ngritur dyshime për dhunë nga partneri i saj. Ata pretendojnë se 25-vjeçarja kishte shenja dhune në trup dhe se konfliktet me të mund ta kenë shtyrë drejt këtij vendimi fatal. Ky është rasti më i fundit i një serie ngjarjesh tragjike që kanë rikthyer në vëmendje një problem të rëndë të shëndetit publik në vend përdorimin e fostoksinës si mjet vetëhelmimi.Edhe muaji shkurt i vitit 2026 u shoqërua me raste të ngjashme. Më 17 shkurt, një e re humbi jetën pasi dyshohet se kishte konsumuar lëndë helmuese në banesën e saj në Sukth. Ajo u dërgua fillimisht në spitalin e Durrësit, por nuk arriti të mbijetojë. Vetëm një ditë më pas, në Fushë Krujë, një tjetër e re humbi jetën pasi dyshohet se u vetëhelmua sërish nga e njëjta substancë.Fostoksina, e njohur në përbërje si Aluminium fosfinë, përdoret për dezinfektimin e magazinave të drithërave, por në kontakt me lagështinë, ajo çliron gazin fosfinë një gaz shumë toksik për organizmin e njeriut. Mjafton një sasi e vogël për të shkaktuar helmim të rëndë, dështim të organeve jetike dhe si pasojë vdekje. Mjekët theksojnë se nuk ekziston një antidot specifike që ta neutralizojë këtë helm.Ajo që e bën situatën edhe më alarmante është fakti se fostoksina mund të blihet me lehtësi në farmaci bujqësore, shpesh pa recetë apo dokumentacion përkatës profesional. Ligjërisht, kjo substancë duhet të tregtohet nën kushte të rrepta dhe vetëm për përdorim të kontrolluar bujqësor. Megjithatë, në praktikë kontrollet rezultojnë të dobëta.Ndërkohë, mesazhi i ekspertëve është i qartë se fostoksina nuk është një produkt i zakonshëm tregu. Është një helm industrial që kërkon kontroll maksimal. Çdo neglizhencë në trajtimin dhe tregtimin e saj mund të ketë pasoja fatale.Sa kohë që kjo substancë do të jetë lehtësisht e aksesueshme, rreziku për përdorim të qëllimshëm apo aksidental do të mbetet i lartë.



















