Emisioni i plotë Pa Gjurme-‘Dy burra më braktisën shtatzënë’/Nëna: I pari donte dy gra, tjetri u zhduk në Greqi

17 Nëntor, 18:02 | Përditesimi: 17 Nëntor, 18:02

Në studion e “Pa Gjurmë” vjen dëshmia e trishtë e Klodiana Balliut, 45-vjeçares nga Pogradeci, e cila prej 6 vitesh rrit e vetme dy fëmijët e saj të mitur. Historia e saj nis me dy bashkëjetesa të dështuara, ku të dy partnerët e braktisën pikërisht në momentet më të vështira gjatë shtatzënive. Klodiana rrëfen se partneri i parë e la pa asnjë shpjegim, ndërsa me partnerin e dytë nisi një jetë të re, por zbuloi se ai kishte edhe një familje tjetër. Shtatzënë 6-muajshe, ai u largua nga Shqipëria dhe nuk u kthye më. Më vonë, gruaja mëson lajmin e rëndë se ai ka ndërruar jetë për shkak të problemeve të zemrës. Pa e njohur kurrë familjen e tij, Klodiana ka frikë t’u trokasë në derë, por fëmijët e pyesin çdo ditë: “Pse ne nuk kemi baba?” Përveç dhimbjeve personale, Klodiana dhe familja e saj përballen edhe me një tjetër betejë: atë me Bashkinë Pogradec. Sipas saj, kur ajo ishte larguar drejt Greqisë, punonjësit e bashkisë prishën avllinë dhe murin mbrojtës të shtëpisë së prindërve. Babai i Klodianës tregon se familja nuk ka penguar kurrë askënd dhe se kërkon vetëm leje për të rindërtuar murin për sigurinë e banesës. Mes lotësh, Klodiana jep dhe një apel të hapur: “Le të vijnë familjarët e ish-partnerit të takojnë fëmijët. Nuk i kam penguar asnjëherë.” Një histori e thellë dhimbjeje, padrejtësie dhe qëndrese, që kërkon të vërtetën dhe drejtësinë pas kaq shumë vitesh vuajtje. Na ndiqni çdo ditë ora 16:00 me gazetaren Odeta Dume në Report Tv.

I.M/Shqiptarja.com