Emisioni i plotë 'Pa Gjurme'-‘Më ngeli peng fjala e fundit e babit’/Prek vajza:U largua dhe prej ditësh e kërkojmë

12 Dhjetor, 20:06 | Përditesimi: 12 Dhjetor, 20:06

 

Prej më shumë se 48 orësh, familja Hysko nga Tirana po përjeton ankthin e një pritjeje të pafundme. Hamit Hysko, 79 vjeç, me origjinë nga Skrapari dhe banues në zonën e Kombinatit, është larguar nga banesa më 9 dhjetor 2025 dhe që prej asaj dite nuk është parë më. Lajmin e rëndë e ka bërë publik vajza e tij, e cila tregon se i moshuari vuante nga demenca, çka rrit ndjeshëm rrezikun për humbjen e orientimit. Sipas saj, ditën që u zhduk, Hamiti kishte ndjekur rutinën e zakonshme: kishte ngrënë, kishte marrë medikamentet dhe ishte shtrirë për t’u çlodhur. Por, kur ajo është zgjuar, babai nuk ishte më në shtëpi dhe që atëherë nuk është parë nga askush.Familja ka verifikuar kamerat e sigurisë në zonë, por deri tani nuk është konstatuar asnjë gjurmë e lëvizjeve të tij. Kjo ka rënduar edhe më shumë situatën, duke i lënë në pasiguri totale për drejtimin që ai ka marrë.Hamit Hysko përshkruhet nga të afërmit si një njeri i qetë, por që prej kohësh kishte probleme me kujtesën. Të afërmit dhe të njohurit kanë nisur kërkimet në zonat përreth, ndërkohë që njoftimi për humbjen e tij është shpërndarë edhe në rrjetet sociale.

A.A/Shqiptarja.com