Një histori e dhimbshme në Pa Gjurmë me Odeta Dume, ku trajtohet zhdukja e 38-vjeçarit Ervis Mbersi nga Greqia. Prej 22 shkurtit, familja ka humbur çdo kontakt me të, ndërsa nëna, Vera Mbersi, rrëfen mes lotëve momentet e fundit dhe ndryshimin e gjendjes së tij pas ndarjes nga bashkëshortja dhe vajzat.Sipas dëshmisë së familjarëve, Ervisi është larguar duke lënë derën e shtëpisë hapur dhe sendet personale në makinë, pa marrë asgjë me vete. Telefoni dhe portofoli janë gjetur në automjet, duke thelluar misterin mbi zhdukjen e tij. Dyshimet e nënës lidhen me një gjendje të rënduar emocionale që mund ta ketë shtyrë të largohej pa një destinacion të qartë.Një informacion i fundit sugjeron se ai mund të jetë parë në Athinë, por pa një konfirmim zyrtar. Familja jeton me ankthin dhe pasigurinë, ndërsa dy vajzat e tij vazhdojnë të kërkojnë babanë.Mesazhi i nënës është i qartë: kushdo që ka informacion të ndihmojë për gjetjen e Ervisit dhe kthimin e tij pranë familjes.




















