Emisioni i plotë ‘Rreze Dielli’, 1 Dhjetor 2023 – Receta/ 8-vjeçari kampion bote në aritmetikë / Arti i krijimit të mozaikut

1 Dhjetor 2023, 15:02

Zonja Albana solli plot katër sugjerime recetash të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Qofte me gjizë të mbushura me proshutë / Meze me presh, speca dhe llukanik / Përshesh me gjizë / Çorbë me mëlçi, miell misri dhe kos. 

Gjeniu 8 vjeçar nga Kosova habit të gjithë, del i pari për të pestin vit rradhazi në garën ndërkombëtare të Aritmetikës Mendore të organizuar nga Brainobrain të mbajtur në Dubai. Lum Rrahmani ka marrë pjesë edhe katër herë të tjera në këtë konkurs, ku u përfaqësuan 42 shtete me dy mijë fëmijë të grupmoshave të ndryshme dhe ai doli sërish më i miri. Në një lidhje skype për emisionin “Rreze Dielli” me nënën e tij, djaloshi tha se kjo garë ishte më e vështirë se të tjerat, pasi brenda 3 minutave ai duhet të zgjidhte 48 ushtrime të vështira matematikore. Vlerësimi për këtë konkurs matej me saktësinë dhe shpejtësinë e zgjidhjes së ushtrimeve. Nëna e Lumit, Lindita Rrahmani thotë se djali i saj nga mosha 2 vjeçare ka shfaqur një nivel të lartë të inteligjencës, jo të zakonshme për fëmijët e moshës së tij, duke lexuar libra e duke bërë llogari të një fëmije më të rritur. Nga ky moment, prindërit u konsultuan me psikologë për të testuar e vënë në pah këtë inteligjencë. Matematika nuk është gjëja e vetme që i pëlqen nxënësit të klasës së katërt, pasi ai interesohet edhe për planetet, madje i pëlqen edhe të shikojë e të luajë futboll.

Artisti i 11 rekordeve të çertifikuara Guinness, Saimir Strati, ka çelur së fundmi një studio arti të krijimit të mozaikëve, pjesë e së cilës janë fëmijë të grupmoshave të ndryshme. Përmes saj, synohet vazhdimi i traditës 3500 vjeçare i krijimit të mozaikëve, e gjithashtu fëmijët krijojnë vepra arti nën kujdesin e tij dhe të bashkëshortes Aurora Strati. Nën kujdesin dhe përkushtimin e çiftit Strati, fëmijët shprehin potencialin e tyre, duke qëndruar larg teknologjisë e duke kaluar kohë argëtuese, krijuese, dhe mbi të gjitha duke skalitur durimin dhe përqëndrimin. Duke folur për 11 rekordet botërore Guinness, Strati u shpreh i zhgënjyer teksa u pyet për vlerësimin nga institucionet shqiptare. Ekspozita e tij e fundit në Pejë, titulluar "Patrioti", përmblodhi punime të gjitha në mozaik me tematika kryesisht me motivet shqiptare, nga natyra, nga legjendat, si edhe ndjeshmëria e folkut. Me shijen e veçantë, thuajse unike dhe syrin e artistit të formuar prej mbi dy dekadash, Saimir Strati ka mënyrën e tij të të parit të artit, që e dallon qartësisht nga të tjerët!