Emisioni i plotë ‘Rreze Dielli’, 1 Maj 2025 – Receta/ 1 Maji dje dhe sot…/Elektriçistja poete nga Erseka

1 Maj, 16:15 | Përditesimi: 1 Maj, 16:15

Zonja Albana solli tre receta të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Sufle me brokoli dhe lulelakër / Supë me lulelakër dhe patate / Bombica shtëpie - Bonbone biskote me kakao.

1 Maji dje dhe sot: Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve, më shumë se një ditë pushimi! 1 Maji, Dita ndërkombëtare e punëtorëve, një manifestim që lindi nga lufta e punëtorëve për të kërkuar dhe siguruar të drejtat, liritë dhe kushtet e punës e të jetesës. Kjo ditë kujtohet në mbarë botën, por për Shqipërinë kjo datë ka më shumë se një domethënie, dikur 1 Maji kthehej në një festë të vërtetë, parada punëtorësh e nxënësish me uniforma dhe lule shumëngjyrëshe, apo dhe piknike në natyrë. Po sot si ka ndryshuar 1 Maji? Flasim në studion e “Rreze Dielli” me gazetarin Eljan Tanini dhe Inxhinierin Nikolle Gega, një nga pionerët e parë të minierave shqiptare. ‘Një jetë në minierë’, inxhinieri i bakrit Nikollë Gega rrëfen kohën e industrisë së rëndë në Rubik: Kur puna ishte ideal dhe sacrificë!

Nëse kujtoni për një moment, personazhin e famshëm të Dedës në filmin shqiptar “Rrugë të bardha”, që ngrin në shtyllë në përpjekje për të ndrequr një defekt në linjën telefonike, jeta e Adriana Hysenajt ka qenë e ngjashme për nga vështirësia, në dimër, ngricë, borë apo në vapën përvëluese të muajve të verës. Sot, Adriana Hysenaj është 63 vjeçe dhe jeton në Ersekë, por 26 vite të jetës së saj ajo ia ka kushtuar profesionit të elektriçistit, duke u “vizatuar” gjithmonë si një grua me profesion burrash. Jeta e saj ka qenë një kalvar vuajtjesh dhe vështirësish dhe më pas në zgjedhjen e një profesioni shumë të rrallë për gratë në Shqipëri. Pasioni i Adrianës ishin sporti dhe poezia, e në rastin më të vështirë do të ishte kuzhina, por kurrë nuk e kishte menduar që do të bëhej elektriçiste dhe ky do të ishte profesioni i saj i jetës. Një zgjedhje që ia diktuan mësuesit e saj, por që me kalimin e viteve ajo nisi ta pëlqejë duke mos hequr dorë për shumë vite. Sot në studion e “Rreze Dielli” nëpërmjet një lidhje skype nga Erseka, Adriana na rrëfeu historinë e jetës së saj - jetimja që ndez dritat me duar dhe shpirt!

MC/Shqiptarja.com