Emisioni i plotë ‘Rreze Dielli’, 1 Qershor 2023 – Receta / Festojmë bashkë me fëmijët / Vetëm 10 vjeç, super e talentuar

1 Qershor 2023, 15:00

Zonja Albana solli tre sugjerime recetash plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Pulë e marinuar me birrë me patate në furrë / Embëlsira e famshme turke ‘Kemal Pasha’ me miell misri dhe sherbet / Petulla me hirrë dhe kos.

Fëmijët 'pushtojnë' studion e Rreze Dielli me kërcime e recitime në ditën e tyre. Dita e Fëmijëve shënohet me 1 qershor në mbarë botën. Fëmijët e të gjitha moshave kërkojnë, që sot të ndihen të lumtur dhe të festojnë me prindërit dhe bashkëmoshatarët e tyre. Kjo ditë nuk është vetëm ditë festive, por njëherësh shërben për të sensibilizuar dhe për t’i thënë jo dhunës dhe abuzimit ndaj fëmijëve. Është dita kur vetë fëmijët ngrenë zërin për të drejtat e tyre, por në ndryshim nga të rriturit, protesta e tyre bëhet me lojëra festive. Origjina e kësaj feste daton që nga 1 qershori i vitit 1925, kur përfaqësues nga vende të ndryshme të botës u takuan në Gjenevë të Zvicrës, për të mbajtur Konferencën e Parë Botërore për mirëqenien e fëmijëve.

Në këtë ditë të shënuar për më të shtrenjtit tanë, studio e Rreze Dielli ‘shndërrohet’ në një teatër të vogël kukullash. Mariglen Kaso, aktor në Teatrin e Kukullave në qytetin e Vlorës, prej disa vitesh ka ngritur një teatër kukullash të levizshëm dhe jep shfaqje për fëmijë nëpër gjithë Shqipërinë, shfaqje të cilat ai i shkruan vetë duke u përpjekur që përveç argëtimit të fëmijëve t’ju japë atyre dhe nga një mesazh.

10-vjeçarja super talent në make-up…Perla Mançe, është një vajzë e vogël 10- vjeçare me një talent të spikatur në fushën e make up-it. Këtë pasion, shprehet ajo, e ka të trashëguar nga gjyshja e saj, e cila është një parukiere dhe grimiere e njohur në Tiranë. Në studion e ‘Rreze Dielli’ si një artiste e vërtetë, 10-vjeçarja tepër e talentuar i realizon mamit të saj një tutorial make up-i. Gjatë punës së saj, Perla nuk harron të japë “sekrete” dhe këshilla për të gjitha vajzat dhe zonjat që duan të duken bukur me një grim sa më natyral.