Emisioni i plotë ‘Rreze Dielli’, 10 Korrik 2023 – Receta / Horoskopi javor / Kistet në vezore

10 Korrik 2023, 15:35

Zonja Albana solli dy sugjerime recetash plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Patëllxhanë me salcë kosi dhe djathra / Pite pa petë me mish pule dhe kunguj.

Në rubrikën "Parashikimi i yjeve", astrologu Jorgo Pulla bëri një parashikim javor të detajuar për 12 shenjat zodiakale për periudhën 10-16 korrik 2023. Sipas astrologut Jorgo Pulla është një javë rrezatuese në lidhje me ekonominë. Përgjatë kësaj jave do të merren vendime shumë të rëndësishme të cilat kryesisht do të kenë lidhje me fushën e punës dhe dokumentacionit. Eshtë një periudhë shumë e mbarë në këtë drejtim për të bërë lëvizjet e duhura. Ndërsa sa i takon shenjës me ndikime më favorite planetare, është Shigjetari. I favorizuar si në ekonomi ashtu dhe në një çështje shit-blerje. Mund të themi se është java e Shigjetarit për të stabilizuar çdo problematikë në jetën e tyre, kjo falë ndikimit planetar. Gjithashtu kjo javë do të ofrojë shumë mundësi për të gjitha shenjat e horoskopit, ndaj duhet të tregohen të vëmendshme për të shfrytëzuar në më të mirën e tyre çdo moment.

Në rubrikën “Bima dhe Shëndeti” me specialistin e bimëve mjekësore Ylli Merja, folëm për kistet në vezore dhe trajtimin alternativ përmes bimëve mjekësore. Sot një pjesë e madhe e femrave vuan nga kjo problematikë. Po çfarë janë kistet në vezore dhe nga se shkaktohen ato? Vezoret janë pjesë e sistemit riprodhues të femrës. Ato janë të vendosura në pjesën e poshtme të barkut në të dy anët e mitrës. Gratë kanë dy vezore që prodhojnë vezë, si dhe hormonet estrogjen dhe progesterone. Ndonjëherë, një qese e mbushur me lëng e quajtur çist zhvillohet në një nga vezoret. Shumë gra zhvillojnë të paktën një çist gjatë jetës së tyre. Në përgjithësi, ato shpesh nuk krijojnë shqetësime të mëdha dhe si pasojë mund të mos shfaqin simptoma të dukshme, por tek disa gra, luhatjet hormonale mund të shkaktojnë dhimbje të konsiderueshme. Zbulimi i kisteve në vezore është i rëndësishëm për nisjen e trajtimit të tyre, pasi sipas specialistit të mjekësisë bimore Ylli Merja, ka shumë bimë të cilat ndihmojnë në balancimin hormonal dhe në pastrimin e kisteve. Merja rekomandoi një sërë bimësh mjekësore të cilat vajzat dhe gratë mund t’i pijnë gjatë ditës në formë çaji.