Emisioni i plotë ‘Rreze Dielli’, 10 Prill 2024 – Receta/ Festa e Fiter Bajramit/ Vajzat kampione në kickbox

10 Prill, 15:03

Zonja Albana solli tre receta tepër të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Kadaif me arra dhe stika / Musaka me kërpudha / Oriz me perime.

Myslimanët në të gjithë botën festojnë sot Fitër Bajramin, festën më të rëndësishme për këtë komunitet. Fitër Bajramit i gëzohen në veçanti praktikuesit e agjërimit, të cilët ndiejnë një sadisfaksion të thellë shpirtëror për arritjen e përmbushjes së njërës nga rregullat më strikte dhe sfiduese për ta. Në rrafshin social, Bajrami është një ditë e cila i bashkon anëtarët e familjes dhe rrethin e ngushtë, zbut zemrat e njerëzve, rrit ngrohtësinë familjare si dhe sjell në pah solidaritetin dhe dashurinë më shumë se në çdo kohë tjetër. Në këtë ditë të shënuar presim në studion e “Rreze Dielli” mësuese Arjana Fida së bashku me dy nxënësit Kenza Gjyzeli dhe Marsiano Muça, një urim për festën e Bajramit të gjithë besimtarëve myslimanë dhe mesazhet kuptimplota që përcillen në këtë ditë feste të madhe.

Në studion e “Rreze Dielli”, tre vajza me një pasion të përbashkët, sportin e kickbox, rrëfejnë emocionet në ring… Ilda Lelo, sportistja nga Vlora, e sapo shpallur si Kampione Europe në sportin e Hand to Hand Fighting në Rumani më 28-31 mars. Ajo është kampione e Shqipërisë që prej vitit 2014, Kampione Bote në 2015, Kampione Europe në vitin 2019 dhe Kampione Bote në vitet 2022-2023. ‘Hand to Hand Combat’ është një sport që konsiston me dyluftime në këmbë me teknika të kickboxing duke alternuar me dyluftimin në tokë, me teknikat të Jiujitsu. Ndërsa Denisa Haxhia është vetëm 14 vjeç, kampione në kategorinë e saj në këtë sport, teksa duket se një nga më të voglat e sportisteve ka shfaqur një talent me të vërtetë të madh, 9-vjeçarja Aria Meminaj.