Zonja Albana solli tre sugjerime recetash të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Byreku pa petë i Çamërisë / Tava e Dibranëve - Pulë me qull / Bukë me presh dhe djathë të bardhë.
Historia frymëzuese e studentes nga Kosova Esma Fera, e cila është zgjedhur asistente në universitetin ‘New Haven’ në SHBA. Udhëtimi i Esmës nga fshati Karaçevë i Kosovës drejt shkencës, është një dëshmi e pasionit të palëkundur, elasticitetit dhe ndjekjes së ëndrrave kundër të gjitha pengesave. “Që në vitet e mia të hershme, më tërhoqën mrekullitë e biologjisë, veçanërisht gjenetika. Kodi i ndërlikuar i jetës dhe vallëzimi molekular i organizmave më magjepsën” shprehet ajo duke nisur kështu një rrugë të mrekullueshme në studimin e Biologjisë Molekulare dhe Qelizore në Universitetin e New Haven. Sipërmarrja e saj e parë kërkimore përfshinte zbulimin e Parvovirusit B-19 në mostrat e zemrës së njeriut, duke tërhequr vëmendjen për potencialin novator dhe duke i hapur rrugë të tjera kërkimore si dhe duke praktikuar në kompaninë prestigjioze bio-farmaceutike AstraZeneca. Aktualisht Esma Fera po punon në aktivitetet e gjeneve në qelizat e kancerit ovarian, duke eksploruar rëndësinë e tyre në dëmtimin dhe riparimin e ADN-së dhe është në prag të publikimit të zbulimeve të saj për gjene specifike.
Në studion e "Rreze Dielli" u trajtua sot historia prekëse e vajzës nga Korça Darda Dhimo. 19 - vjeçarja, studente e psikologjisë përmes një komunikimi në skype, me një buzëqeshje admiruese dhe forcë të adhurueshme, tregoi sesi e zbuloi sëmundjen e leuçemisë. Ajo tha se gjithçka ndodhi fare rastësisht dhe se nuk pati asnjë shenjë të sëmundjes teksa një ditë shkoi të dhuronte gjak, të bënte një vepër humane, të ndihmonte bashkëmoshatarët e saj, por aty jeta e saj do të merrte kthesën. Analizat e menjëhershme treguan që jo vetëm s'mund të dhuronte gjak por ajo që mësoi në ato çaste ishte tronditëse. Mjekët u alarmuan dhe mbetën të habitur për faktin se sëmundja nuk i kish dhënë asnjë sinjal, ndërkohë që familja e saj besimtare e krishterë u ul në gjunjë dhe i lutej Zotit për të shpëtuar vajzën e tyre. Darda u dërgua drejt Selanikut nëpërmjet ndihmës së organizatave fetare ndërkohë që reagimi i qytetarëve korçarë ishte prekës. Ata pedaluan me moton "Askush s’lufton i vetëm” në mbështetje të Dardës e cila vijon seancat e kimioterapisë duke luftuar me një guxim të jashtëzakonshëm. Me një forcë dhe buzëqeshje që nuk e humbi asnjë çast, tepër luftarake dhe e guximshme, ajo tregon se ka pasion pianon, muzikën dhe psikologjinë. Kohën e lirë e kalon duke lexuar, duke u lutur dhe duke i'u dhënë kurajo njerëzve që i shkruajnë dhe tregojnë historitë e tyre të ngjashme.