Emisioni i plotë ‘Rreze Dielli’, 10 Tetor 2024 – Receta/ ‘Elon Musk’ biografia e njeriut më të pasur në planet/ Maska për njollat kafe & Aromatizues natyral

10 Tetor, 15:03

Zonja Albana solli tre sugjerime recetash plot shije për teleshikuesiet e “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Bacan me hithra dhe miell misri / Supë me hithra të njoma / Gjylnar, ëmbëlsirë dibrane.

“Elon Musk”, biografia e autorizuar nga miliarderi amerikan vjen edhe në shqip. E shkruar nga autori bestseller Walter Isaacson, libri jep një vështrim gjithëpërfshirës për jetën, vështirësitë dhe arritjet e Elon Musk, një prej sipërmarrësve më me ndikim dhe inovativ të epokës tonë në botë. Libri nis me fëmijërinë e Elon Musk, duke e portretizuar atë si një fëmijë tepër inteligjent, por të vështirë nga ana sociale. Vazhdon me rrugëtimin e tij nga Afrika e Jugut për në SHBA, flet për sipërmarrjet e tij dhe ndikimin transformues që ai ka pasur në industri si eksplorimi i hapësirës, automjetet elektrike etj. Botuesja Loreta Berhami, në studion e emisionit “Rreze Dielli”, rrëfen më shumë detaje nga ky libër.

A është hiperpigmentimi një problem i madh? Sigurisht që po, sidomos për femrat pas të 40-ve, veçanërisht për ato me hiperpigmentim në zona të dukshme si fytyra. Lajmi i mirë është se me ndihmën e disa 'ilaçeve' natyrale, ju mund të zvogëloni në mënyrë dramatike njollat e errëta të lëkurës duke përgatitur disa salca apo maska bimore. Në rubrikën "Bëje vetë" Niki dhe Stela na tregojnë 'sekretet' çfarë duhet të bëjnë zonjat në shtëpi, por së pari, mësojmë çfarë është hiperpigmentimi dhe faktorët që luajnë një rol në zhvillimin e njollave kafe në lëkurë. Thjerrëza të kuqe, shafran, patate, salcë domate, qumësht, çaj jeshil, aloe vera, qepë e kuqe, uthull molle, etj, janë produkte që të gjithë i kemi në shtëpi dhe që bëjnë një 'mrekulli' sa i takon hiperpigmentimit. Në "Rreze Dielli" tregojmë sesi t'i përdorim këto produkte në formën e maskave për zbardhjen e lëkurës dhe zbehjen e njollave kafe.

Ndonjëherë detergjentët aromatikë mund të mos qëndrojnë gjatë në rroba. Për ta zgjidhur këtë problem, në rubrikën 'Bëje vetë' Niki dhe Stela na tregojnë një truk fantastik pa shumë shpenzime për të aromatizuar për një kohë të gjatë dollapët tuaj. Mjafton t'a vendosni në ndonjë cep të dollapit dhe rrobat tuaja do të kenë gjithmonë një aromë të këndshme. Gjithashtu Niki dhe Stela tregojnë si të krijojmë një sapun aromatizues natyral për depozitën e tualetit. Do të siguroni jo vetëm një aromë të freskët dhe të këndshme, por njëkohësisht dhe një dezinfektues që ndihmon në heqjen e baktereve nga tualeti WC duke e lënë atë të pastër dhe të freskët.