Emisioni i plotë ‘Rreze Dielli’, 11 Dhjetor 2023 – Receta / Horoskopi javor / Kujdes nga aritmia, ja si të mbroni zemrën

11 Dhjetor 2023, 16:17

Zonja Albana solli tre sugjerime recetash plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Kimë me mish viçi, presh dhe vezë / Oshmar në saç / Ëmbëlsirë me biskota.

Në rubrikën "Parashikimi i yjeve", astrologu Jorgo Pulla bëri një parashikim javor të detajuar për 12 shenjat zodiakale për periudhën 11-17 dhjetor 2023. Sipas astrologut Jorgo Pulla do të jetë një javë vendimtare në çështje të rëndësishme që do të kemi dhe pikërisht kjo javë do të na shoqërojë deri në Mars të vitit 2024, pra çfarë bëjmë tani dhe çfarë duam të realizojmë dhe prioritetet që do të vendosim do të reflektohen dhe do të kenë ndikim deri në muajin Mars. Është momenti më i mirë, më i duhuri në vazhdimësi, prandaj duhet të jemi sa më të vëmendshëm për gjërat që do të bëjmë, pasi kjo javë do t’u japë mundësi të gjitha shenjave të zodiakut. Astrologu Pulla në parashikimin e tij të horoskopit javor, tregoi klasifikimin e shenjave në bazë të ndikimit dhe vendosjes planetare nga vendi i dymbëdhjetë deri në vendin e parë.

Në rubrikën "Bima dhe Shëndeti", me specialistin e bimëve mjekësore Ylli Merja flasim për aritminë në zemër, si përmes kurave natyrale të mund t’a parandalojmë apo stabilizojmë rrahjet e zemrës. Çfarë është aritmia e zemrës, si t’a kuptojmë atë dhe cilët janë disa nga faktorët që çojnë në çrregullimin e rrahjeve të zemrës. Sipas specialistit të bimëve mjekësore Merja, shkaktarët e aritmisë mund të jenë mjekësore, fizike, emocionale apo gjenetike. Specialisti Merja tregon si duhet të veprojmë menjëherë në rast të një bradikardie (rrahje të ulta të zemrës) që shoqërohet dhe me tension të ulët si dhe në rastin e takikardisë kur rrahjet e zemrës janë më të shpeshta se normalja. Sipas specialistit të bimëve mjekësore parandalimi i aritmisë është i mundur me anë të një diete të shëndetshme me perime e fibra, më pak kripë dhe yndyrë; kufizimi i duhanit, alkoolit, substancave narkotike; gjumë i mjaftueshëm; aktiviteti fizik në ajër të pastër (rreth 1 orë në ditë); qetësimi i ankthit dhe stresit, shmangia e ushqimeve të skuqura, ushqimet e papërpunuara; shmangia e ëmbëlsirave artificiale. Në studion e “Rreze Dielli”, Ylli Merja renditi dhe një sërë ushqimesh dhe bimësh mjekësore që fuqizojnë shëndetin e zemrës.