Emisioni i plotë ‘Rreze Dielli’, 11 Mars 2025 – Receta/ Horoskopi javor/ Fotografja e bebave/ Këndi i librit/ Deklarimi DIVA

11 Mars, 13:46

Zonja Albana solli dy receta të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Byreçka me djathë dhe Supë me brokoli.

Në rubrikën "Parashikimi i Yjeve", astrologu Jorgo Pulla bëri një analizë të detajuar për javën e dytë të këtij muaji, 10-16 mars, për 12-të shenjat e zodiakut. Sipas astrologut Pulla kjo javë mund të konsiderohet tepër e rëndësishme sa i takon fushës profesionale me fillime të reja në karrierë, ndërsa në fushën sentimentale mund të kosiderohet si java e rilidhjeve shpirtërore. “Kjo javë sjell ndryshime të rëndësishme astrologjike, me ndikime të mëdha dhe me nevojën për rishikim. Këndi Diell-Saturn tek Peshqit dhe eklipsi hënor në Virgjëreshë gjithashtu me Mërkurin në retrogradë tek Dashi do të sjellin pak vonesa dhe ndikime emocionale. Kujdes, në marrjen e vendimeve, sidomos ato serioze në çdo aspekt si dhe Kujdes komunikimin!”, theksoi Pulla, duke vijuar më pas me parashikimin e detajuar të yjeve për të gjitha shenjat e zodiakut.

Armejsa Kullolli është një fotografe jo e zakontë. Ajo është e profilizuar në fotot e bebeve gjatë lindjes dhe është e vetmja vajzë fotografe në Shqipëri e trajtuar për këtë disiplinë. Armejsa ka rreth 5 vite që fotografon momentet e para të foshnjeve kur vijnë në jetë dhe ka fotografuar diku tek 150 lindje në këto 5 vite, ku më shumë kanë qenë lindje cezariane, në raport me ato natyrale. ‘Birthmark’ nuk është vetëm një profil i ri për vendin tonë në këndvështrim fotografik, por edhe një mënyrë e të informuarit të shëndetshëm e real nëpërmjet artit dhe momenteve të jetuara nga vetë familjet shqiptare. Ajo beson se fotografia e lindjes ka nevojë për një hapësirë të madhe në jetën e një çifti dhe sjellja e një fëmije në këtë botë duhet të festohet me zë të lartë dhe të fortë! “Lindja është një vepër arti dhe si e tillë duhet trajtuar!” thotë Armejsa e ftuar në studion e Rreze Dielli, teksa ndan disa nga momentet më mbresëlënëse të shkrepjeve të saj në sallën e lindjes.  

Ka disa libra që të marrosin, disa që të lënë me një brengë të madhe, disa që të trondisin, disa të tjerë që flasin për gjëra aq njerëzore si humbja, pendesat, çastet e fundit me njerëzit e dashur dhe fatet e zeza që është thuajse e pamundur t’i ndryshosh. Dhe në fakt çfarë s’do të jepnim që të kishim mundësinë të kalonim edhe një ditë më shumë me njeriun tonë më të dashur, që ka ndërruar jetë! Një bir dhe një nënë, që s’jeton më, përshkojnë për të fundit herë jetën dhe zbulojnë sekrete të pathëna kurrë më parë. “Edhe një ditë më shumë” nga Mitch Albom është me siguri një nga librat që nuk duhet të mungojë në biblotekën tuaj. Për të përcjellë mesazhin e fortë të dashurisë dhe jetës flasim në studion e “Rreze Dielli” me përkthyesen dhe kryeredaktoren e Botime Pegi, Aida Baro.

Besoj se të gjithë keni dëgjuar këto ditë të flitet për formularin DIVA, formulari për deklarimin e të ardhurave personale, afati i fundit i të cilit është data 31 Mars. Cilat janë risitë e këtij viti në deklarimin e të ardhurave personale, si ka ndryshuar ky deklarim sa i takon të ardhurave vjetore? Kush është i detyruar të bëjë deklarimin e të ardhurave personale dhe cilat kategori përjashtohen? Cilat janë burimet e të ardhurave që duhet të raportohen, përfshihen edhe të ardhurat nga jashtë vendit apo nga qiraja? Afati i fundit për dorëzimin e deklaratës është fundi i marsit, çfarë ndodh nëse dikush nuk e dorëzon në kohë? Cilat janë penalitetet për vonesën ose për mosdeklarimin e saktë të të ardhurave? Si mund të kryhet ky deklarim dhe çfarë duhet të bëjnë qytetarët që nuk janë të sigurt për mënyrën e deklarimit? Përgjigjet e të gjitha këtyre pyetjeve do t’i marrim në studion e “Rreze Dielli” me ekonomisten Eriola Hoxha, e cila do të na tregojë hap pas hapi të gjithë procedurën që duhet të ndjekim për plotësimin e këtij formulari, tashmë të detyrueshëm për të gjithë ata që kanë të ardhura vjetore mbi 1.2 milion lekë bruto.