Emisioni i plotë ‘Rreze Dielli’, 11 Nëntor 2024 – Receta/ Horoskopi javor / I pari shqiptar në Shoqatën Ndërkombëtare të Bartenderëve/ Diabeti, kura natyrale

11 Nëntor, 16:06

Zonja Albana solli dy receta të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Shqeto Përmeti / Supë krem me pulë dhe hudhra.

Në rubrikën "Parashikimi i Yjeve", astrologu Jorgo Pulla bëri një analizë të detajuar për javën e dytë të këtij muaji, 11-17 nëntor, për të gjitha shenjat e zodiakut. Sipas astrologut Pulla duket se do të jetë një javë pak e ndryshme nga kjo që sapo kaluam, e cila na jep mundësinë që të stabilizojmë çështjet ekonomike financiare, të zgjidhim problematika, por dhe të reflektojmë se ku kemi gabuar. Eshtë një javë me ndikime të forta planetare, sidomos ndikimi i Afërditës në Bricjap, i cili jep shumë mundësi dhe favorizon si në marrjen e vendimeve të rëndësishme, në çështjet ekonomike financiare, në punë dhe në dashuri. “Nëse keni në plan për të lëvizur nga një vend pune në një tjetër, është pikërisht tani momenti ideal” thotë Pulla, i cili thekson se shenjat më të favorizuara përgjatë kësaj jave do të jenë shenjat e tokës Bricjapi, Virgjëresha dhe Demi.

Kleantino Goga është zgjedhur Zëvendës President i International Bartenders Association (IBA), Shoqata Ndërkombëtare e Bartenderëve. Ky është një moment historik për industrinë globale të pijeve, dhe një arritje e jashtëzakonshme për Shqipërinë, duke e bërë Goga-n shqiptarin e parë që mban një pozicion kaq të lartë në këtë organizatë prestigjioze. Në studion e “Rreze Dielli” Goga u shpreh i entuziasmuar për këtë vlerësim dhe për këtë post të lartë. Kleantino Goga, është një emër i njohur në botën e miksologjisë, i pasionuar pas artit të krijimit të koktejleve dhe ka fituar reputacion si “alkimist” i shijeve. Ai është i njohur për veprat e tij krijuese që pasqyrojnë thelbin e kulturës shqiptare, dhe për përkushtimin e tij në avancimin e miksologjisë si një art të vërtetë. Goga ka pasur mundësinë të përfaqësojë Shqipërinë në arenën ndërkombëtare dhe ka kontribuar në zhvillimin e industrisë së pijeve, duke sjellë gjithmonë një frymë inovative dhe autentike.

Vetëm pak ditë na ndajnë nga Dita Botërore e Diabetit, 'pandemisë' më të re globale. Sëmundja e diabetit po përhapet me ritme të shpejta në të gjithë botën, kjo për faktin e një stili jetese jo të shëndetshëm, por dhe faktorëve të jashtëm. Çdo vit në vendin tonë identifikohen rreth 4000 raste të reja dhe më problematik është fakti se po preken edhe të rinjtë. Diabeti është sëmundje që nuk i shfaq simptomat që në fillim, ndaj në rubrikën "Bima dhe Shëndeti" do të ndalemi pikërisht në simptomat e fshehura dhe të hershme të diabetit, të cilat nuk duhet neglizhuar. Në shumë raste, diabeti i tipit 2 dhe komplikacionet e tij mund të vonohen ose parandalohen duke adoptuar dhe mbajtur zakone e stil jete të shëndetshëm. Nëse diabeti nuk fillon të kurohet mund të çojë në komplikacione serioze dhe potencialisht kërcënuese për jetën. Në studion e "Rreze Dielli", specialisti i bimëve mjekësore Ylli Merja, tregon se natyra jonë na ka falur një thesar me bimë të ndryshme medicinale, të cilat nëse dimë t'i kombinojmë, arrijnë të mbajnë në kontroll sheqerin në gjak duke lehtësuar kështu jetën e çdo individi me diabet.