Zonja Albana solli dy receta të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Shqeto Përmeti & Pite me kefir dhe djathë.
Nis edicioni i 28-të i Panairit të Librit në Tiranë, një ndër ngjarjet më të bukura të botës së letrave, i cili zhvillohet nga data 12 deri më 16 nëntor 2025 në Pallatin e Kongreseve. Ky panair do të shndërrojë Tiranën në një qendër të kulturës duke bashkuar lexuesit, botuesit, autorët dhe përkthyesit për të festuar fuqinë e librit dhe ndikimin e tij në jetën e përditshme. Vetëm një ditë përpara hapjes së Panairit të Librit “Tirana 2025”, kemi kënaqësinë të zhvillojmë një bisedë tepër të këndshme në studion e “Rreze Dielli” me drejtuesen e një prej shtëpive botuese më të njohura në vend, Loreta Berhami nga Botime Pegi, e cila do të na tregojë për surprizat e këtij panairi, titujt më të pritur, librat më të rinj, por dhe sugjerime për lexuesit e të gjitha moshave, të rritur dhe fëmijë.
Kamera e “Rreze Dielli” ka udhëtuar në fshat, në një zonë shumë afër kryeqytetit, në Linzë ku jemi takuar me një pukjan, i cili prej 20 vitesh ka zgjedhur të jetojë në këtë zonë të Tiranës. Fadil Huli ka një histori të veçantë dhe një marrëdhënie shumë të ngushtë me natyrën dhe bagëtitë. Ai ka ndërtuar shtëpinë e tij pranë natyrës, pasi kjo e lidh edhe me vendlindjen. Por ajo që e bën të veçantë këtë bujk është raporti me lopët, ai flet me to sikur t’i ketë fëmijët e tij. Murra është ajo që i ka “rrëmbyer” zemrën Fadilit. Jetesa në fshat sipas tij ka vështirësitë e saj, por nuk ka të paguar. “Në fshat kam lindur dhe këtu do vdes, nuk ka si natyra”, shprehet ai duke na treguar dhe pemën e gështenjës, rrënjën e së cilës e ka marrë nga vendlindja e tij, Puka.





















