Emisioni i plotë ‘Rreze Dielli’, 11 Shtator 2025 – Receta /Ansambli Popullor / ‘Bëje vetë’ Maskë fytyrë & flokë

11 Shtator, 15:56 | Përditesimi: 11 Shtator, 15:56

Zonja Albana solli tre receta të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Pispili me patëllxhanë dhe djathë / Pure me patëllxhanë të pjekur / Supë me trahana dhe domate.

Në "Rreze Dielli" flasim për artin, kulturën dhe trashëgiminë tonë shpirtërore, që na lidh me rrënjët dhe na mbush me krenari! Të ftuar në studio janë Sokol Marsi, drejtues i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore, dhe Genci Kastrati, mjeshtër i valleve shqiptare. Ndalemi te ajo që na bën të ndihemi më shumë vetvetja - arti, kultura dhe energjia pozitive që na jep tradita jonë kombëtare. Flasim për emocionet e këtij sezoni, për aktivitetet që janë zhvilluar brenda dhe jashtë vendit, si dhe për reagimin gjithnjë e më entuziast të publikut shqiptar dhe atij të huaj ndaj artit tonë tradicional. Sot, kur Shqipëria po kthehet në një destinacion turistik gjithnjë e më të preferuar, tradita, krahas natyrës dhe mikpritjes, po zë një vend gjithnjë e më të rëndësishëm në prezantimin e identitetit tonë kombëtar. Po ashtu, do të ndalemi edhe te interesi i të rinjve për t’u bërë pjesë e këtij profesioni fisnik, si dhe do të zbulojmë çfarë pritet në vjeshtë dhe dimër, kur Ansambli Kombëtar rikthehet fuqishëm në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit me një kalendar të pasur artistik.

Lëkura është pasqyra e kujdesit tonë të përditshëm dhe shpesh herë ndikohet nga faktorë të jashtëm si dielli, ndotja dhe mungesa e hidratimit të duhur. Një nga shqetësimet më të zakonshme, sidomos pas ekspozimit të zgjatur në diell, janë njollat kafe që shfaqen në fytyrë apo trup. Për të parandaluar dhe trajtuar këto shenja kujdesi natyral dhe i qëndrueshëm është zgjidhja ideale. Kjo është arsyeja pse maskat bio, të përgatitura me përbërës të pastër natyralë, po fitojnë gjithnjë e më shumë popullaritet. Në rubrikën "Bëje vetë" në "Rreze Dielli" Niki dhe Stela përgatisin një maskë, e cila ndihmon në hidratimin dhe rigjenerimin e lëkurës, duke ndihmuar gjithashtu në zbehjen e njollave kafe të shkaktuara nga dielli.

Flokët e shëndetshëm dhe me shkëlqim janë një nga simbolet më të dukshme të bukurisë dhe kujdesit personal. Megjithatë, faktorë si përdorimi i produkteve kimike, nxehtësia nga pajisjet e stilimit, rrezet e diellit, por dhe stresi i përditshëm mund t'i bëjnë flokët të duken të thatë, të dëmtuar dhe pa jetë. Për fat të mirë, natyra na ofron zgjidhje të fuqishme për rigjenerimin e flokëve, pa kimikate, pa kosto të larta dhe me përbërës që mund t'i gjejmë lehtësisht në shtëpi. Në "Bëje vetë" Niki me Stelën përgatisin një maskë bio me vajra natyralë dhe vezë, e cila ushqen thellësisht flokët, rikthen shkëlqimin dhe forcon fijet nga rrënja deri te majat. Ideal për çdo lloj floku që ka nevojë për jetë të re!

MC/Shqiptarja.com