Emisioni i plotë ‘Rreze Dielli’, 12 Prill 2024 – Receta/ Kujdes nga këto mesazhe në telefon!/ 25 vjeçarja lë Kanadanë për Shqipërinë

12 Prill, 15:31

Zonja Albana solli tre sugjerime recetash plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Tavë me patëllxhanë role / Pastiçe fshati në tigan / Llokma me sherbet.

Mesazhe ose thirrje të dyshimta në telefona, WhatsApp apo forma të tjera, të cilat priren t’ju udhëzojnë që të klikoni në një link që qartësisht prek sigurinë tuaj, vazhdojnë të rrezikojnë sigurinë online. Në studion e “Rreze Dielli”, eksperti i IT Tomi Kallanxhi bëri thirrje që të mos t’ju përgjigjeni mesazheve të tilla apo në rastin kur ju kërkohet një kod 6 shifror, qytetarët nuk duhet të bien pre e mashtrimeve të tilla, pasi rrezikojnë të dhënat personale dhe financiare në llogaritë e tyre bankare. Sipas tij, këta mashtrues mund të ndërhyjnë fare kollaj në privatësinë e individëve të cilëve ju kërkohet kodi i posaçëm për të hyrë në një llogari bankare.

Elena Demçe është një vajzë 25 vjeçare nga Korça, plot ambicie dhe ëndrra për jetën. Ajo ka jetuar prej moshës 4 vjeçare jashtë Shqipërisë. Fillimisht, familja e saj emigroi në Greqi, e më pas u rikthye për të vazhduar gjimnazin në Korçë, por dëshira për një jetë më të mirë, detyroi familjen Demçe të emigronte sërish. Pas gjimnazit, Elena udhëtoi në Kanadanë e largët për të provuar ëndrrën kanadeze dhe sloganin "Yes you can", por ndryshe nga sa e kanë shitur të tjerët, për Elenën ky vend ishte jo siç e kishte përfytyruar. Ajo tregoi në studion e "Rreze Dielli", vështirësitë me të cilat u përball së bashku me të fejuarin. Puna si shitëse në një furrë buke, pavarësisht se nuk ishte ajo që donte, e mësoi të ishte e pavarur ekonomikisht dhe e frymëzoi sesi mund t'ia dilte të realizonte qëllimet që i vuri vetes. Një ditë ajo la gjithçka dhe u rikthye në Shqipëri, për të hapur biznesin e saj që lidhej me një kompani ndërkombëtare e po ashtu për të frymëzuar qindra të rinj sesi mund t’ia dalin të realizojnë qëllimet dhe ëndrrat e tyre.