Emisioni i plotë ‘Rreze Dielli’, 13 Dhjetor 2024 – Receta/ Rikthehet Linda Kalemi/ Kalendari 2025 i bukurisë shqiptare

13 Dhjetor, 15:10

Zonja Albana solli dy sugjerime recetash plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Bakllava me arra dhe Byrek me mish e qepë.

“Një trup i lirë nga tensioni nervor dhe lodhja është vendi ideal që natyra ofron si strehim për një mendje të ekuilibruar dhe plotësisht të aftë për të zgjidhur me sukses të gjitha problemet komplekse të jetës moderne” – kjo është një thënie nga Joseph Pilates, themeluesi i një prej disiplinave të akivitetit fizik, por dhe mendor më të përhapura vitet e fundit, Pilates, një disiplinë stërvitjeje për trupin, e menduar dhe ideuar për të zhvilluar forcën dhe elasticitetin muskulor, për të ndihmuar të ruajmë ekuilibrin midis trupit dhe mendjes. Ushtrimet e saj, të kryera me qetësi dhe saktësi, jo vetëm që përmirësojnë forcën dhe fleksibilitetin, por gjithashtu ndihmojnë në reduktimin e stresit dhe përmirësimin e shëndetit mendor. Pilates është një zgjedhje ideale për ata që kërkojnë një metodë efektive për të përmirësuar shëndetin fizik dhe mendor, me përfitime të shumta që ndikojnë në të gjitha aspektet për një jetë më të shëndetshme dhe më të ekuilibruar. Po çfarë benefitesh specifike marrim nga ushtrimi i pilates, i diskutojmë në studion e “Rreze Dielli” me Linda Kalemin, një prej përqafueseve të para të kësaj disipline në Shqipëri, e cila e sapo kthyer nga Turqia ku ka jetuar me vite, propozon që Pilates t’a fusë në Tiranë në shërbim të komunitetit, dhe për më tepër falas për të moshuarit.

Petri Bozo ka sjellë për të 23-in vit kalendarin me më të bukurat e “Miss Shqipëria”. Gjashtë nga vajzat të cilat kanë qenë pjesë e spektaklit janë bërë edhe modele të kalendarit për vitin 2025. I kthyer në traditë të përvitshme, ky kalendar promovon kulturën, turizmin dhe artin përmes më të bukurave të vitit që lamë pas. Për promovimin e këtij kalendari dhe festimin e 23 viteve histori kalendaresh, çifti Petri dhe Alda Bozdo, mblodhën në Tiranë njerëz të njohur nga fusha të ndryshme. Producenti dhe regjisori i Miss Shqipëria për kameran e “Rreze Dielli”, rrëfen se çfarë fshihet pas mbi 2 dekadash histori, që këtë vit u prezantua me një tjetër binom. Me kalimin e viteve, puna është sofistikuar e bashkë me të edhe imazhet femërore. Kalendari i "Miss Shqipërisë" ka fituar famën e të vetmit që i ka mbijetuar kohës duke u kthyer tashme në traditë. Herë duke rrugëtuar nëpër monumente historike e herë me objekte të veçanta në sfond si simbolika të zgjedhura. Çdo gjë e përzgjedhur për foto e ka një qëllim. Pa harruar kurrësesi protagonistet e vërteta, më të bukurat e "Miss Shqipërisë".