Zonja Albana solli dy receta tepër të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Briam me patëllxhanë dhe patate / Rosti me patate.
Në rubrikën "Parashikimi i Yjeve", astrologu Jorgo Pulla bëri një parashikim të detajuar për javën e tretë të këtij muaji, 13-19 maj për të gjitha shenjat e zodiakut duke bërë një renditje nga vendi i dymbëdhjetë në vendin e parë. Pulla theksoi se kjo javë është java e ndryshimeve të mëdha, fat, shanc nga të gjitha anët. Edhe pse do të ketë disa problematika të vogla mund të konsiderohet e mbarë, pasi ka ndikime të forta planetare të cilat japin shumë mundësi dhe favorizojnë si në marrjen e vendimeve të rëndësishme, në çështjet ekonomike financiare, në dokumentacione, në punë dhe karrierë, gjithashtu dhe në fushën shpirtërore.
Ashtu siç i kushtojmë rëndësi shëndetit, formës fizike ose lëkurës, në të njëjtën mënyrë duhet të përkujdesemi dhe për flokët, të cilët janë shumë të rëndësishëm sidomos për femrat dhe shpesh për shkak të erës, diellit, ujit apo faktorëve të tjerë si të jashtëm ashtu edhe të brendshëm flokët dëmtohen, dobësohen dhe bien. Ndonjëherë, flokët e gjatë dhe me volum duken një ëndërr e pamundur. Por shumë prej nesh e dinë se sekreti pas një floku të shëndetshëm qëndron edhe tek kujdesi. Trajtimi i flokëve në shtëpi mund të jetë shumë efektiv për të patur flokë gjithnjë e më të shëndetshëm, pa yndyrë, plot jetë, pa zbokth, pa maja të djegura dhe mbi të gjitha si të luftojmë rënien dhe të kemi flokë të gjatë plot shkëlqim. Në studion e “Rreze Dielli” specialisti i bimëve mjekësore Ylli Merja na tregon produktet natyrale që të gjithë mund t'i përdorim si mënyrë alternative për të patur flokë të shëndoshë për t’u patur zili. Realizojmë 7 maska për flokë të thatë, me zbokth, për rënien si dhe maska me produkte natyrale për thinjat.