Zonja Albana solli dy sugjerime recetash plot shije për teleshikuesit e “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Byrek me spinaq, djathë dhe kos / Supë me kunguj të njomë dhe patate. Gjithashtu nga oborri i saj, Albana tregoi një mënyrë shumë praktike sesi mund të ruajmë perimet për një kohë të gjatë në ngrirje.
Në rubrikën "Parashikimi i yjeve", astrologu Jorgo Pulla bëri një parashikim javor të detajuar për 12 shenjat zodiakale për periudhën 13-19 nëntor 2023. Sipas astrologut Jorgo Pulla duket se do të jetë një javë sa e qetë por dhe me shumë zhvillime. Është një javë ku duhet të jemi të vëmendshëm ku hedhim hapin, ndaj kujdes! Fokusi më i madh i javës është tek puna dhe ekonomia duke qenë se kemi dhe ndikimin e Hënës së re në fillimin e javës, e cila na jep mundësi për mbylljen e konflikteve dhe problemeve si dhe mundësi në nisma të reja.
Me kameran e “Rreze Dielli” kemi shkuar në Lushnje, në oborrin e Përparim Agaçit. Nëse në pjesën më të madhe të oborreve në shtëpitë tona shikojmë të mbjella lule, në oborrin e Përparimit gjejmë në të gjithë sipërfaqen e tij pemë frutore të bananes, madje ai është i pari që ka mbjellë rrënjën e parë të pemës së bananes, këtij fruti ekzotik në vendin tonë. Ai na rrëfen se fillimi ishte i vështirë, iu desh një vit i plotë për të marrë frutet e para, aroma e bananeve të kopshtit të tij është e mrekullueshme dhe ndryshon shumë nga aroma dhe shija e bananeve që blejmë në treg. Përparim Agaçi teksa thotë se përkujdesja për rritjen e pemëve të bananes është e madhe, na rrëfen ndër të tjera se lulet që mbijnë rreth gjetheve të bananes i kanë shpëtuar jetën duke e ndihmuar në një problem të rëndë shëndetësor, pasi në kockat e tij kishte prezencë të metaleve dhe konkretisht të dioksidit të plumbit. Ishte pikërisht specialisti i bimëve mjekësore Ylli Merja, pas shumë analizave dhe konsultimeve të ndryshme që i rekomandoi përdorimin e çajit dhe vajit të luleve të bananes dhe sot Përparimi gëzon shëndet të plotë.
Në rubrikën “Bima dhe Shëndeti” me specialistin e bimëve mjekësore Ylli Merja u ndalëm në vlerat ushqyese që kanë bananet. Vitaminat dhe mineralet prezente në këtë frut janë shumë efektive në trajtimin e shumë problematikave shëndetësore. Por përveç këtyre vlerave të mrekullueshme banania dhe lëkura e saj është shumë e mirë dhe për maska të ndryshme në fushën e kozmetikës dhe dermatologjisë. Bananet përmbajnë acid galik, katekinë, taninë, flavonoide, vitamina A, E, C, B, B2, B6 dhe shumë minerale si kalium, fosfor, natrium, magnez dhe triptofan, këto dy të fundit stimulojnë prodhimin e serotoninës dhe dopaninës. Gjithashtu dhe lëkura e bananes përmban amina biogjene si serotonina dhe dopamina. Specialisti i bimëve mjekësore Ylli Merja, realizoi dhe disa receta smothi me banane kombinuar me fruta e perime për trajtimin e disa sëmundjeve dhe problematikave shëndetësore si fuqizimi i zemrës, tiroideve, problemeve me kostipacionin, djegien në stomak, etj.