Emisioni i plotë ‘Rreze Dielli’, 14 Maj 2024 – Receta / Inxhinieri ngre alarmin për ujin e pijshëm /’Albania’ pushton Kilin me rrobat e përdorura

14 Maj, 15:16

Zonja Albana solli katër sugjerime recetash plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Pastiçe me spinaq dhe djathë/ Petanik me mish të grirë/ Gjellë me qepë të njoma,vezë dhe djathë kaçkavall Çaj i ftohtë me fruta.

Inxhinieri Kristaq Puleri i ftuar në studion e "Rreze Dielli" ngre alarmin për ujin e pijshëm në bidona plastikë, apo ripërdorimin e tyre disa herë. Sipas tij, lëndët plastike që lëshohen mund të sjellin sëmundje të fshehta në popullatë. Puleri shprehet se më i mirë është uji i çezmës dhe në qelq, por edhe aty ka problematika, pasi bëhen gabime me mënyrën e hedhjes së klorit në depozitat e ujit. Inxhinieri Kristaq Puleri jep këshilla se kur duhet ta pimë ujin që të shmangim pirjen e klorit dhe zhveshjen e ujit nga mineralet e dobishme

Gerald Osmani u largua drejt Kilit në moshën 24-vjeçare në vitin 2015 ku punonte për një kompani. Sot, ai së bashku me një shokun e tij, kanë hapur biznes me rroba të përdorura në Kili, vend i Amerikës së Jugut. Rrobat e përdorura i marrin nga vendet e Europës dhe i tregtojnë në Kili. Dyqaneve të rrobave të përdorura i kanë vendosur emrin “Albania”. Geraldi ka tre vite që ka hapur këtë biznes në Kili kryesisht me rroba të përdorura por dhe të reja. Deri më tani kanë 9 dyqane, 3 magazina me shumicë dhe 6 dyqane me pakicë, 5 nga të cilat janë më të mëdhatë në qendrat e qyteteve. Nëpërmjet një lidhje skype për studion e “Rreze Dielli” Geraldi na tregon si lindi kjo ide dhe si në këto biznese ai mundohet që të punësojë kryesisht bashkëatdhetarë.