Emisioni i plotë ‘Rreze Dielli’, 14 Mars 2025 – Receta/ Dita e Verës, festë e rituale/ 11-vjeçarja me zërin brilant

14 Mars, 15:26

Zonja Albana solli tre receta tradicionale plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Ballokumet e Elbasanit / Byreku tradicional me 12 jeshillëqe / Kulaçi i Ditës së Verës. Më pas bisedat në Rreze Dielli u hapën me performancën e veçantë për Ditën e Verës nga fëmijët e Akademisë së Kërcimit ‘Kako Dance Academy’.

Dita e verës festa pagane që daton shekuj më parë, në kohën kur stërgjyshërit tanë kremtonin bashkë me romakët dhe me grekët e lashtë, duke i thurur lavde perëndive të luleve dhe natyrës. Në këtë gëzim, ata ndjenin si detyrë për t’u falur perëndive që u sillnin mirësi dhe begati për mbarë popullatën…dhe kështu lindi festa e mirënjohur dhe sot, për të vazhduar traditën ndër shekuj. Sipas ritit, besnikët e paganizmit pasi vendosin veroren në dorë për pak kohë, kur e heqin e varin atë në degët e thanave, dëllinjave, dafinave dhe shelgjeve. Më pas degët e këtyre pemëve do të këputen e do të vendosen në portat e shtëpive, për të uruar një vit të begatë… Në studio me studiuesen e riteve Jonida Çunga Sela, flasim rreth të panjohurave për ditën e verës, në një vështrim mitologjik për zakonet dhe ritualet e kësaj dite.

Në studion e "Rreze Dielli" ndajmë një bisedë të veçantë me një vajzë të vogël tepër të talentuar. Ajo quhet Amantja Balla dhe që e vogël fare është rritur me pasionin e madh për muzikën. Sot ajo është 11 vjeç dhe ka marrë pjesë në shumë festivale dhe koncerte ku është vlerësuar me çmime. Që e vogël këndonte çdo melodi dhe në moshën 8-vjeçare merr pjesë në festivalin e organizuar nga kantautori Gjergj Leka me këngën "Mësueses time". Një vit më vonë fiton një audicion të hapur në TKOB dhe bëhet pjesë e korit "Zërat e bardhë" udhëhequr nga maestro Dritan Lumshi dhe soprano Sonila Baboçi. Në studion tonë Amantja na tregon më shumë për pasionin dhe ëndrrat e saj, dhe na mrekullon me zërin brilant teksa performon këngën "Zogjtë e zërit tënd" kushtuar të madhes Nexhmije Pagarusha.