Zonja Albana solli tre sugjerime recetash plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Pulë e mbushur / Kek i kripur i Pashkëve / Supë me oriz, jeshillëqe dhe të brendshme qingji.
Sallata e bahçes. Mbledhim në natyrë barishte të veçanta pranverore për t’ju servirur një pjatë fshati të shëndetshme me produkte të sezonit. Kamera e “Rreze Dielli” në këtë stinë pranvere udhëton në fshatrat e Shqipërisë. Destinacioni i rradhës ishte fshati Gurëz në Kurbin, ku u takuam me Sonila Jahja, një amvisë e përkushtuar pas gatimit me produkte sa më të freskëta që i mbjell në bahçen e saj. Ajo na tregoi se barishtet në këtë sezon duhet të zenë ‘vendin e nderit’ në tryezat tona për vlerat e mëdha shëndetësore që kanë në qarkullimin e gjakut.
Lazim Latifi rrëfen si ka ndryshuar jeta e tij pas aksidentit që i mori njerën këmbë. Pasioni për sportin ka bërë që ai mos dorëzohet, por të ndjekë ëndrrën e vet. I ftuar në emisionin “Rreze Dielli” inxhinieri dhe sportisti Lazim Latifi rrëfen se 6 vite më parë humbi këmbën në një aksident rrugor. ”Deri në moshën 45 vjeçare isha një njeri normal që e jetoja jetën në mënyrën më të mirë të mundshme fare i shpenguar, ndërsa më pas, pata momentin më të vështirë të jetës time, një aksident automobilistik” - e nis kështu rrëfimin prekës Lazim Latifi. Ai humbi këmbën, por jo besimin, pasi gjeti forcë tek familja për të vazhduar përpara, duke mos rënë në pesimizëm. Falë bashkëshortes, dy fëmijëve dhe besimit në Zot, ai mundi të dilte nga momenti i vështirë, por një sfide e re i doli përpara, beteja ligjore për të kërkuar drejtësinë. Latifi tregon se pas vendosjes së protezës i lindi ideja që të merrte pjesë në maratona dhe ndeshje futbolli dhe sot është pjesë e ekipit italian të futbollit të personave të amputuar.
Hava Bekteshi, vajza shqiptare që ka futur instrumentin e çiftelisë në orkestrën e Hamburgut. Si është të jesh pjesë e Filarmonisë së qytetit me një element shqiptar si çiftelia? Në një lidhje skype nga Gjermania Hava Bekteshi, tregon se është rritur në Gjermani së bashku me familjen e saj. Në profesion Hava është mësuese e gjuhës gjermane, por muzikën, sidomos luajtjen e instrumentit autokton Çiftelinë e ka patur pasion që në fëmijëri. Në Gjermani ajo tani njihet si një përfaqësuese e çiftelisë dhe muzikës shqiptare. Hava është shqiptarja e parë që ka futur çiftelinë në shtëpinë më prestigjoze Elbphilharmonie në Hamburg. Tingujt e këngës së bukur shqipe “Tingëllon teli i çiftelisë“ u interpretuan me aq shumë dashuri dhe profesionalizëm për herë të parë në një koncert madhështor në Gjermani, duke i mahnitur të gjithë me tingujt e saj. Hava Bekteshi është aktive dhe pjesë e koncerteve të ndryshme me orkestrën e Filarmonisë së Hamburgut.