Emisioni i plotë ‘Rreze Dielli’, 16 Qershor 2025 – Receta/ Horoskopi javor nga Jorgo Pulla / Lulja e Basanit, përdorimi në mjekësinë popullore

16 Qershor, 16:12 | Përditesimi: 16 Qershor, 16:12

Zonja Albana solli tre receta të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Oriz me kunguj të njomë dhe kopër / Çorba Shkodrane / Tarator me kastravec dhe kos.

Në rubrikën "Parashikimi i Yjeve" në Rreze Dielli, astrologu Jorgo Pulla bëri një analizë të detajuar për javën e tretë të muajit, 16-22 Qershor, për 12-të shenjat e zodiakut. Sipas astrologut Pulla, kjo javë sjell një përzierje emocionesh të thella, vendimesh të guximshme dhe energjie të re në ajër. Ndikimi i yjeve do të na nxisë të reflektojmë mbi marrëdhëniet, të vendosim kufij të shëndetshëm dhe të përqendrohemi tek vetja. Në planin profesional, disa do të përballen me sfida që kërkojnë durim, ndërsa të tjerë do të kenë mundësi të reja për të spikatur. Në dashuri, kjo është një javë ku sinqeriteti dhe hapja emocionale do të bëjnë diferencën, qoftë për të afruar dikë, qoftë për të lënë pas atë që nuk funksionon më. "Është një javë që sjell nevojën për realizëm dhe sqarim! Marsi në Virgjëreshë intensifikon fokusin në çështjet praktike, ndërsa katërkëndëshi Jupiter-Neptun krijon konfuzion dhe iluzione, por dhe ndjeshmëri emocionale me Diellin në Gaforre në 21 Qershor", thekson astrologu Pulla.

Me siguri e keni parë diku afër shtëpisë, në rrugë apo në fusha, por a e keni ditur që kjo lule mund të ndihmojë në kurimin e një sërë sëmundjesh? Po flasim për Lulen e Basanit, një bimë që rritet kudo në Shqipëri dhe që përdoret prej shekujsh në mjekësinë popullore për trajtimin e problemeve me stomakun, mëlçinë, tretjen, dhe më shumë... Në 'Bima dhe Shëndeti' në Rreze Dielli me specialistin e bimëve mjekësore Ylli Merja tregojmë vlerat e jashtëzakonshme e benefitet shëndetësore të lules së basanit, dhe si ta përdorim në mënyrë të sigurtë dhe efektive për sëmundje të ndryshme. Gjithashtu tregojmë si të realizojmë vajin e lules së basanit dhe shumë receta dhe këshilla nga mjekësia popullore.

MC/Shqiptarja.com