Emisioni i plotë ‘Rreze Dielli’, 17 Dhjetor 2024 – Receta/ Flasim për librin…/ ‘Bëje vetë’ Maskë fytyre & Si të lidhni shallin

17 Dhjetor, 16:12

Zonja Albana solli katër sugjerime recetash plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Pastiçe me mish të grirë / Lakër me qumësht dhe vezë në tavë / Supë me oriz dhe domate / Sallatë me domate jeshile.

Në studion e “Rreze Dielli” në një bisedë të këndshme me kryeredaktoren dhe përkthyesen Aida Baro, e cila flet për pasionin dhe dashurinë për librin, duke përcjellë dhe emocionet e romanit më të fundit të përkthyer prej saj "Jeta e shkurtër e Lukas Santanës", shkruar nga Elvira Dones. Një roman tronditës dhe reflektues mbi të drejtën e jetës, mbi dënimin kapital, mbi jetë të margjinalizuara që nuk arrijnë kurrë të kapërcejnë pragun e varfërisë, mbi sakrifica grash dhe nënash, të humbura qysh në lindje, mbi fate ogurzeza që zor se mund të ndryshohen. "Jeta e shkurtër e Lukas Santanës", nuk është thjesht një roman, por historia e vërtetë e një djaloshi teksan, të cilin Donesi e ka shoqëruar përgjatë verës së mbrame të jetës së tij. Një reflektim mbi dënimin kapital dhe mënyrat perverse të shfrytëzimit të sistemit të drejtësisë, mbi kthesa të fatit dhe përpjekjet e dëshpëruara të shtresave të margjinalizuara për të kaluar një prag të pakapërcyeshëm, një pasqyrë e vetëmohimit të grave në çfarëdolloj sistemi. Një roman koral shumë i fuqishëm, që di të risjellë shpresat dhe dështimet personale përtej ligjeve.

Pastrimi efektiv i fytyrës mund të bëhet menjëherë në shtëpi, gjithçka që ju nevojitet është pak sodë buke dhe do të keni lëkurë të lëmuar dhe të pastër pa shpenzuar asnjë lek! Në rubrikën “Bëje vetë” në emisionin Rreze Dielli, Niki me Stelën përgatisin një maskë fytyre super ndriçuese dhe pastruese me bikarbonat në vetëm pak sekonda, gjithashtu e shkëlqyer kundër njollave të lëkurës dhe një ndihmë e vlefshme për korrigjimin e papërsosmërive të lëkurës si skuqje, puçrra apo pika të zeza. Ju duhen vetëm 3 produkte që të gjithë i keni në shtëpi dhe realizoni një maskë perfekte, ideale për stinën e dimrit.

Dimri ka ardhur dhe çdokush kërkon të vishet trashë dhe të ndihet komod. Shall, kapele dhe dorashka janë ndër aksesorët kryesorë të kësaj stine. Nëse ka një aksesor që kemi gjithmonë në dorë sa herë ulen temperaturat, por edhe një aksesor për të cilin kemi nevojë në dimër, është një shall i butë dhe komod. Këtë sezon, shajet vijnë në të gjitha llojet, modelet, gjatësitë, ngjyrat, madje edhe nivelet e peshës, kështu që me to mund të krijosh pa fund stil, pavarësisht rastit. Stela Nikolla në “Bëje vetë” në Rreze Dielli do të na tregojë 5 mënyra të ndryshme sesi të lidhim dhe mbajmë shallin.