Zonja Albana solli dy sugjerime recetash plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Byreçka me djathë dhe koper / Speca me kos dhe gjizë.
Në rubrikën "Parashikimi i yjeve", astrologu Jorgo Pulla bëri një parashikim javor të detajuar për 12 shenjat zodiakale për periudhën 17-23 korrik 2023. Sipas astrologut Jorgo Pulla është një javë që kërkon vëmendje dhe kujdes sepse një pengesë e cila në dukje mund të duket e lehtë mund të na lodhë shumë. Eshtë një periudhë sado delikate por dhe aq perfekte ku mundësitë, favorizuar nga ndikimi planetar nuk do të mungojnë. Kjo javë fillon me Hënën e re, ku më e ndikuar do të jetë shenja e Gaforres. Gjithashtu ndikime favorite në fushën e punës dhe karrierës por dhe në atë shpirtërore do të ketë edhe Bricjapi. Kjo javë për të gjitha shenjat do të japë mundësi në zgjidhjen e problemeve të së shkuarës por dhe në ndryshime të cilat duhet t’i vendosim në veprim që tani. Eshtë një javë ku do të nxitemi dhe motivohemi si në punë, në kontrata apo marrëveshje të reja si dhe në dashuri.
Në rubrikën “Bima dhe Shëndeti” me specialistin e bimëve mjekësore Ylli Merja folëm për hidratimin sa më të shëndetshëm përmes çajrave bimore në sezonin veror. Hidratimi është tepër i rëndësishëm në ditët e nxehta të verës. Alternativat industriale për freski janë të mbushura me sheqerna dhe substanca që më shumë bëjnë dëm në organizëm. Zgjidhja më e mirë qëndron tek çajrat e ftohtë bimorë, të cilët jo vetëm që e freskojnë organizmin, por edhe e pajisin me vitamina dhe minerale. Specialisti i bimëve mjekësore Ylli Merja rekomandon një sërë bimësh të cilat jo vetëm ndihmojnë në nxjerrjen e nxehtësisë nga organizmi, por gjithashtu freskojnë trupin dhe të kombinuara në formën e një çaji, përveçse mbajnë trupin të hidratuar vijnë në ndihmë dhe për një sërë problematikash të tjera në organizëm.
Gjithashtu me specialistin e bimëve mjekësore Ylli Merja folëm për helmimin nga ushqimet në sezonin e verës. Me ngritjen e temperaturave gjatë sezonit të verës rritet dhe rreziku i helmimit nga ushqimet. Helmimi nga ushqimi ndodh duke ngrënë ose pirë ushqime të cilat janë të kontaminuara nga viruse, baktere, toksina, parazitë ose kimikate toksike. Jo gjithmonë kjo ndodh nga ushqimet e prishura. Mund të helmohemi nga ushqime në dukje shumë të mira por që nuk janë ruajtur siç duhet. Bakteret që shkaktojnë helmimet nga ushqimet në verë kryesisht gjenden në prodhimet shtazore, në mishin e papjekur, mishrat e përpunuar, në prodhimet e detit krudo, qumësht, ujë, vezë, domate, sallatë, duar të palara. Ylli Merja rekomandon bimët të cilat pastrojnë toksinat nga trupi dhe një metodë natyrale tepër efikase për shërim nga helmimi.