Zonja Albana solli katër sugjerime recetash plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Fileto merluci me djathë, sallatë jeshile dhe uthull molle / Papare me nenexhik / Qofte frikase / Palëpetë me salçiçe të grira, qepë dhe vezë.
Në skype me Drilon Merturi, shqiptari që punon prej 15 vitesh si ciceron në muzetë më të famshme të Milanos ‘Novecento’ dhe ‘Palazzo Reale’. Përmes një guide virtuale ekskluzivisht për ‘Rreze Dielli’ nga Galeria e Artit Modern në Milano, Driloni na tregon disa prej kryeveprave më të mëdha botërore… Galeria e Artit Modern është koleksioni më i rëndësishëm Lombard i veprave të shekullit të 19-të dhe ndodhet në Milano në Villa Reale, ku u ofron vizitorëve të saj një përvojë të jashtëzakonshme në të cilën mund të admirohen kryevepra botërore. Drilon Merturi para se të largohej nga Shqipëria ishte mësuesi i parë i gjuhës angleze në zonat e veriut. Pas emigrimit në Itali nis studimet për mediator gjuhësh dhe kulturash dhe më pas diplomohet në Shkenca politike dhe ekonomike. Sot Drilon Merturi punon si ekspert arti/ciceron në muzeun "Novecento" dhe "Palazzo Reale" në Milano.
‘4 stinë përrallore’ për herë të parë në Shqipëri vjen një album pianistik me 12 përrallëza për fëmijë, nga artistët Ardita Bufaj dhe Klodian Qafoku. Duke lexuar këtë libër të gjithë fëmijët do të gjejnë veten duke udhëtuar nëpër universin magjik të botës së fantazisë dhe asaj të muzikës, ku gjeli Koko këndon, arushi Loni luan në flaut, ketri Fllad dirigjon orkestrën, macja Kiki-luan në piano, majmuni Abu ëndërron të flejë mbi banane etj. Historitë janë mjaft tërheqëse dhe mbajnë zgjuar kureshtjen e fëmijëve nga fillimi në fund. Koleksioni i përrallëzave është i shkruar në formën e katër stinëve të vitit, ku secila stinë ka tri përrallëza. Të ndërtuara me një stil të veçantë, ato zhvillojnë dhe ndihmojnë në rritjen e imagjinatës dhe kreativitetit të fëmijëve. Ky libër është i vlefshëm për të gjithë fëmijët, veçanërisht ata të cilët luajnë në instrumentin e pianos ku shërben për të zhvilluar aftësitë e tyre muzikore si dhe kultivimin e dëshirës dhe pasionit për të luajtur në instrumentin e pianos.
Në rubrikën ‘Bëje vetë’ me estetisten Sidorela Gremi përgatisim dy maska të thjeshta me produkte që të gjithë i kemi në shtëpi: pak kos dhe të bardhë veze për rigjenerimin e lëkurës si dhe vaj ulliri dhe të verdhë veze për hidratimin e lëkurës së thatë. Gjithashtu me estetisten përgatisim dhe një scrub për shkëlqimin perfekt të lëkurës me lule livandoje.