Emisioni i plotë ‘Rreze Dielli’, 17 Prill 2023 – Receta tradite / Horoskopi javor nga Jorgo Pulla / Ylli Merja: Polipet në zorrën e trashë

17 Prill 2023, 15:54

Zonja Albana solli dy sugjerime recetash plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Byrek me petë sfoliatë i mbushur me djathë dhe salçiçe të tymosura / Spinaq me oriz dhe limon.

Është një javë shumë e rëndësishme, por me pak luhatje sipas astrologut Jorgo Pulla. Kemi ndikimin e Mërkurit në anën e kundërt në Dem si dhe kemi eklipsin e Diellit, i cili është i pari për këtë vit duke na dhënë mundësi por dhe ndryshime të mëdha në rang global. Përgjatë kësaj jave do të na rikthehen disa probleme apo çështje të së kaluarës, ndaj duhet të jemi vigjilent. Është një javë ku do të merren vendime të rëndësishme, është një periudhë që vërtetë do të ketë ndryshime të mëdha, është një periudhë që na jep shumë mundësira, të cilat do të jenë pozitive, nëse vendimet merren në kohën dhe momentin e duhur. Sa i takon shenjave më të favorizuara të kësaj jave, sipas astrologut Pulla, ndikime më favorite për këtë javë ka shenja e Gaforres dhe shenja e Peshqëve.

Në rubrikën "Bima dhe Shëndeti" me specialistin e bimëve mjekësore Ylli Merja u ndalëm në një problematikë e cila vitet e fundit ka filluar të bëhet gjithnjë e më shqetësuese. Polipet në zorrën e trashë, çfarë janë ato dhe nga se shkaktohen. Sipas specialistit Merja, polipet janë zhvillime qelizore që krijohen brenda murit të zorrës së trashë. “Zorra e trashë është e ndërtuar nga katër shtresa, në pjesën e brendshme të saj, ajo që është në kontakt me produktin ushqimor që është duke u përpunuar ndodh një dukuri nga mosfunksionimi i mirë i tretjes apo ushqime jo të shëndetshme ku fillojnë të zhvillohen qeliza atipike jo normale në një zonë të caktuar” thekson Merja. Nga eksperienca e punës shumë vjeçare Merja sugjeron se personat që vuajnë nga kjo problematikë së pari duhet të bëjnë një analizë të mirë të ushqimeve që ato konsumojnë duke hequr nga regjimi i tyre ushqimet jo të shëndetshme dhe të konsumojnë më shumë qumësht dhe nën produkte të tij, më shumë bishtajore, perime, fruta pylli, thana, molla të egër, etj. Specialisti Merja rekomandoi dhe disa receta bimore për trajtimin e kësaj problematike.