Zonja Albana solli tre receta të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Byrek me kungull vjeshte i ëmbël dhe i kripur / Tavë me sardele dhe domate në furrë / Supë me perime të stinës.
Anila Hetoja përfaqësoi Shqipërinë në një eksperiencë të bukur të Simpoziumit të 9-të Ndërkombëtar të Artit 'Struga 2024', ku artistë nga e gjithë bota shprehën përmes pikturës lirizmin ekspresiv. Simpoziumi Ndërkombëtar i Artit Pamor ishte një ngjarje e rëndësishme drejt bashkëpunimit dhe këmbimit kulturor, ku artistët nga e gjithë bota erdhën së bashku për të ndarë eksperiencat e tyre artistike. E ftuar në studion e “Rreze Dielli” Anila Hetoja, piktore dhe njëkohëshit interior design, tregoi se ky simpozium nuk ishte vetëm një ngjarje ku talenti dhe kreativiteti u shfaqen në formën më të pastër, por një vend ku lindën bashkëpunime të reja dhe do zhvillohen projekte të përbashkëta në të ardhmen. Kjo ngjarje ishte një dëshmi e përkushtimit dhe esenca e vërtetë e artit - të komunikosh, të ndash dhe të festosh në një përvojë të përbashkët artistike nëpërmjet një gjuhe universale që bashkon njerëzit pavarësisht origjinës ose kulturës. Një artiste multidimensionale si Anila Hetoja gjithmonë ka surpriza me projekte, ekspozita të njëpasnjëshme dhe evente artistike të panumërta. Sipas saj, arkitektura dhe piktura lidhen shumë mirë dhe ndihmojnë njëra tjetrën.
Në rubrikën 'Bëje vetë' Niki së bashku me Stelën do të japin disa këshilla praktike me produkte natyrale që të gjithë i kemi në shtëpi dhe që nuk na kushtojnë fare për heqjen e njollave. Këshilla e parë që jep Stela Nikolla është përdorimi i uthullës së mollës në lavatriçe në vend të zbutësit të rrobave, duke treguar se uthulla nuk do të mbajë fare aromë, madje do t'a theksojë më shumë aromën e ilaçit të rrobave. Në studion e "Rreze Dielli" tregojmë dhe demostrojmë si të heqim shpejt dhe lehtë njollat e make up-it, njollat e kafesë, njollat e çokollatës, njollat e vajit, njollat e verës dhe njollat e stilolapsit apo lapustilave duke përdorur disa produkte të thjeshta si uthulla e mollës, soda e bukës, llaku dhe alkooli. Gjithashtu tregojmë dhe një truk të thjeshtë për të pastruar dyshemenë me ngjitës.