Emisioni i plotë ‘Rreze Dielli’, 17 Tetor 2023 – Receta/ Shqiptarët padisin google / ‘Overthinking’ si të çlirojmë veten nga mendimet e tepërta?

17 Tetor 2023, 14:41

Zonja Albana solli tre sugjerime recetash të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Byrek paçavure me vezë / Paçe me plendës / Perime të mbushura.

Dy shqiptarë ngrenë padi ndaj Google, i kërkojnë të njihet gjuha shqipe. Në skype me njërin prej paditësve, dr. Neshad Asllani, për të na shpjeguar si erdhi ky vendim dhe çfarë problemesh sjell diskriminimi ndaj gjuhës shqipe dhe dëmet në media, marketing, investime të huaja, ekonomi etj… Padia që është ngritur pak ditë më parë në SHBA kundër Google, pasi kjo e fundit nuk e ka përfshirë gjuhën shqipe në përdorimin e përditshëm dhe në platformat e saj, është ngritur nga Haki Dervishi, shtetas shqiptaro-amerikan me banim në Palm Springs Kaliforni, i dekoruar rishtazi nga Presidenti Biden me Dekoratën dhe Mirënjohjen Jetësore për kontribut të vazhdueshëm për kombin Amerikan, dhe Dr. Neshad Asllani, mjek i njohur nga Kosova, themelues i “Qendrës Kosovare për të Drejtat e Njeriut” dhe anëtar bordi në organizatën “Dekada për të Drejtat e Njeriut” në New York. Në Gjykatën e Lartë të Kalifornisë, për shkak të diskriminimit që kjo kompani i bën gjuhës Shqipe është ngritur një padi, pasi ky diskriminim ndaj gjuhës shqipe ka sjellë probleme të mëdha në zhvillimin e biznesit, në fushën e medias, marketingut dhe teknologjisë në Shqipëri, Kosovë dhe kudo që flitet shqip.

‘Overthinking’ ose të menduarit më shumë seç duhet, renditet si një nga shkaqet e palumturisë. Si të veprojmë për ta çliruar veten nga mendimet e tepërta? Të mendosh shumë në pamje të parë nuk duket si problematike, por të mendosh më shumë se ç’duhet mund të shkaktojë shumë probleme sipas ekspertëve. Kur mendon shumë, gjykimet tona mjegullohen dhe kemi më shumë stres dhe shpenzojmë shumë kohë për gjëra negative duke sjellë pasoja dhe vështirësi për të vepruar. Mendimet e tepërta, negative, insistuese, që vazhdojnë të risillen nëpër kokë, e s’mund të hiqen qafe, mund të sjellin shqetësim e vuajtje. Në disa raste ato mund të jenë një nga simptomat e një çrregullimi të ankthit apo depresionit, apo të një gjendje stresi të akumuluar. Në studion e “Rreze Dielli” me psikoterapisten, Fleura Shkëmbi japim disa ide të thjeshta sesi mund t’a çlirojmë veten nga mendimet e tepërta.