Emisioni i plotë ‘Rreze Dielli’, 17 Tetor 2025 – Receta/ Rreziku nga lojërat virtuale/ Maska natyrale Fytyrë&Rrathët e syve

17 Tetor, 17:04 | Përditesimi: 17 Tetor, 17:04

Zonja Albana solli tre receta të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Lulelakër në furrë me vezë dhe kos / Kulaç me miell misri dhe kos / Domate turshi.

Inteligjenca artificiale, tashmë është bërë pjesë e pandashme e jetës tonë, pasi duam apo nuk duam ne kemi filluar të jetojmë edhe virtualisht. Të shumta janë lehtësirat që kjo inteligjencë na jep në jetën tonë, por dilema e madhe është si duhet ta menaxhojmë këtë zhvillim që vetë ne e kemi krijuar. Pak javë më parë Organizata mbikëqyrëse amerikane, Komisioni Federal i Tregtisë, ka nisur një hetim mbi rreziqet që chatbot-ët me inteligjencë artificiale paraqesin për fëmijët e mitur dhe adoleshentët, pasi veprojnë si “shokë virtualë” duke komunikuar me përdoruesit si miq apo persona të besuar. Ndaj sot në “Rreze Dielli” do të ndalemi pikërisht tek kjo problematikë: varësia moderne, miqësi në rrjet apo shkëputje nga jeta e vërtetë? Sa të sigurta janë lojërat virtuale për fëmijët tanë? Çfarë prindërit, por dhe vetë fëmijët duhet të kenë kujdes? Diskutojmë me panelistët e ftuar, ekspertin e IT-së Tomi Kallanxhi dhe psikologun Eduart Tafa.

Pushi i fytyrës është një shqetësim i zakonshëm për shumë gra, i cili shpesh ndikon jo vetëm në pamjen estetike, por edhe në vetëbesim. Në vend të metodave të dhimbshme ose të shtrenjta si depilimi me lazer apo dylli, gjithnjë e më shumë po i kthehemi alternativave natyrale, të sigurta dhe ekonomike që mund t’i përgatisim vetë në shtëpi. Në "Bëje vetë" Niki dhe Stela do të na tregojnë se si të përgatisim vetë në shtëpi një maskë natyrale, me përbërës të thjeshtë dhe efektivë, për të ndihmuar në heqjen e pushit të padëshiruar nga fytyra në mënyrë të butë dhe të kujdesshme ndaj lëkurës.

Zona poshtë syve është një nga pjesët më të ndjeshme të fytyrës, dhe gjithashtu një prej atyre që më shpesh përballet me probleme si ënjtja, rrathët e errët dhe linjat e holla. Pavarësisht mundësive të shumta në treg, maskat natyrale janë një alternativë e shkëlqyer për të ushqyer dhe rigjeneruar këtë zonë të ndjeshme pa përdorur kimikate të forta. Në Rreze Dielli në rubrikën "Bëje vetë" Niki dhe Stela zbulojnë një recetë tepër efektive, një maskë natyrale që mund ta përgatisim vetë në shtëpi, duke përdorur përbërës të thjeshtë që ndihmojnë në zbutjen e rrathëve të errët dhe rritjen e elasticitetit të lëkurës.

MC/Shqiptarja.com