Emisioni i plotë ‘Rreze Dielli’, 18 Mars 2025 – Receta/ Testi PISA/ Maska flokë & fytyrë/ Horoskopi javor

18 Mars, 16:03 | Përditesimi i fundit: 2025-03-18 16:12:24

Zonja Albana solli tre receta të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Patate furre të mbushura / Supë me miell misri dhe kos / Sallatë e Çobanit me kastravec dhe karrotë.

Provimi ndërkombëtar PISA 2025 në Prill, nxënësit shqiptar 15-vjeçarë në përballje me njohuritë dhe kreativitetin! PISA është një program ndërkombëtar për vlerësimin e nxënësve të moshës 15-vjeçare në tri fusha kryesore shkencë, matematikë dhe lexim. Ai filloi të zbatohej për herë të parë në vitin 2000 dhe zhvillohet një herë në çdo tre vjet. Për të siguruar një rezultat të mirë në vlerësimet e organizuara nga programi PISA nevojitet një punë sistematike dhe e organizuar. Nxënësit e përfshirë në testim, si dhe mësuesit e tyre, duhet ta vlerësojnë me seriozitetin më të madh periudhën përgatitore dhe ditën e testimit. Ata duhet të kuptojnë se ky vlerësim është njëherësh individual dhe përgjegjësi kombëtare, është po ashtu vlerësim për nxënësit dhe performancën e mësuesve të përfshirë në mësimdhënie. E ftuar në studion e "Rreze Dielli" botuesja Elda Vela tregon se tashmë nxënësit shqiptarë do të kenë mundësinë të kenë në duar botimin ‘PISA, teste për shkencën’, i cili është një ndihmesë për këtë ndërmarrje të rëndësishme, duke sjellë modele testesh në fushën e shkencave natyrore të ndërtuara sipas programit PISA. Nëse nxënësit do të trajnohen paraprakisht me teste të tilla, është e sigurt se rezultatet tona kombëtare do të ngjiten më lart në shkallën e vlerësimit ndërkombëtar. Provimi ndërkombëtar PISA 2025 do të mbahet përgjatë muajit Prill.

Ashtu siç i kushtojmë rëndësi shëndetit, formës fizike ose lëkurës, në të njëjtën mënyrë duhet të përkujdesemi dhe për flokët, të cilët janë shumë të rëndësishëm sidomos për femrat, jo më kot thuhet se flokët janë gjysma e bukurisë. Ndonjëherë, flokët e gjatë dhe me volum duken një ëndërr e pamundur. Por shumë prej nesh e dinë se sekreti pas një floku të shëndetshëm qëndron edhe tek kujdesi. Trajtimi i flokëve në shtëpi mund të jetë shumë efektiv për të patur flokë gjithnjë e më të shëndetshëm, pa yndyrë, plot jetë dhe plot shkëlqim. Në studion e “Rreze Dielli” në rubrikën “Bëje vetë” Niki me Stelën përgatisin një balsam natyral për rritjen e flokëve, një mënyrë e shkëlqyer për t’i ushqyer, hidratuar dhe dhënë atyre një shkëlqim natyral. Gjithashtu vajzat realizojnë dhe një serum natyral me vitaminë C për fytyrën, për një lëkurë plot shëndet, pa pore me elasticitet dhe mbi të gjitha për një fytyrë rinore pa asnjë rrudhë.

Në rubrikën "Parashikimi i Yjeve", astrologu Jorgo Pulla bëri një analizë të detajuar për javën e tretë të këtij muaji, 17-23 mars, për 12-të shenjat e zodiakut. Sipas astrologut Pulla kjo javë do të karakterizohet nga shumë ndikime të forta planetare, të cilat do të japin mundësi dhe rëndësi në nxitjen e fillimeve të reja dhe në mbylljen e çështjeve të së shkuarës. “Me ekuinoksin e pranverës dhe hyrjen e Diellit në Dash, kemi një ndikim i cili na frymëzon të jemi të guximshëm dhe vendimtarë në jetën tonë. Në fillim të vitit të ri astrologjik, do të shohim se ku mund të marrim përgjegjësinë për jetën tonë dhe si mund të rilindim. Shenjat që do të jenë më të favorizuara përgjatë kësaj jave janë Dashi, Virgjëresha, Peshqit si dhe Shigjetari i 10-të ditëshit të tretë, me shumë mundësi kryesisht në fushën e karrierës”, theksoi Pulla, duke vijuar më pas me parashikimin e detajuar të yjeve për të gjitha shenjat e zodiakut.