Emisioni i plotë ‘Rreze Dielli’, 18 Nëntor 2025 – Receta / Muaji i kuzhinës shqiptare në botë / ‘Bëje vetë’, Maska për flokët

18 Nëntor, 16:34 | Përditesimi: 18 Nëntor, 16:34

E ftuar në këndin e kuzhinës amvisa Dhurata Dino solli tre receta të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Byrek me lakër arme / Spinaq me qiqra dhe qepë të njoma / Kek me karrota, arra dhe rrush të thatë.

Shqipëria jonë, e pasur me bukuri natyrore, art, kulturë dhe traditë, ka edhe një kuzhinë të larmishme që përfaqëson një pjesë të rëndësishme të identitetit tonë. Së fundmi, Platforma AlbChef ka ndërmarrë një nismë të veçantë: për herë të parë po bashkon shefat shqiptarë të kuzhinës nga e gjithë bota, në një edicion që synon ta vendosë gastronominë shqiptare në hartën ndërkombëtare. Organizimi “Muaji i Kuzhinës Shqiptare në Botë” po zhvillohet gjatë gjithë muajit nëntor dhe është shtrirë në qytete si Roma, Athina, Berlini, Madridi, Kopenhagen dhe shumë të tjera në Europë. Programi përfshin mbrëmje gala dhe evente degustimi, ku çdo pjatë shpalos një histori më vete mbi kulturën dhe natyrën shqiptare. Verërat e përzgjedhura nga kantinat shqiptare në të gjitha trevat do të shoqërojnë menutë e krijuara posaçërisht për këtë aktivitet, duke plotësuar përvojën me aromat dhe karakterin e tokës ku janë prodhuar. Kjo nismë përfshin edhe publikun, i cili ka mundësinë të shijojë pjatat e përgatitura nga duart e shefave shqiptarë. Për më tepër, për këtë organizim bisedojmë në ‘Rreze Dielli” me themeluesin e AlbChef, Sokol Prenga.

Në "Bëje vetë" në Rreze Dielli ndalemi në kujdesin për flokët, duke përdorur përbërës natyral që të gjithë i kemi në shtëpi. Niki dhe Stela tregojnë hap pas hapi se si të përgatisim një shampo të thjeshtë me sodë buke dhe si të përdoret në mënyrë të sigurt për të pastruar flokët pa kimikate të forta. Kjo metodë është përdorur shpesh si një alternativë shtëpiake për pastrim më të butë, sidomos për ata që duan një qasje më natyrale në rutinën e tyre. Gjithashtu vajzat përgatisim dhe një balsam flokësh krejt natyral, i cili i jep flokëve ushqim, butësi dhe shkëlqim.

MC/Shqiptarja.com