Zonja Albana solli tre receta të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Kulaç me ullinj/ Byrek me qepë dhe domate / Lakër e mbushur me qofte.
Një histori prekëse u rrëfye sot në emisionin "Rreze Dielli". Në moshën 44-vjeçare, Stela Nikolla diagnostikohet me kancer gjiri. Jeta nga ai moment merr një tjetër kthesë për të. Përballja me tumorin e gjirit e shokoi dhe tronditi, por siç u shpreh, i dha edhe forcë për t'a luftuar me të gjitha mënyrat. Ditët e saj tani janë të mbushura me takime me mjekun, trajtime dhe momente lodhjeje hera herës, por ajo refuzon të lejojë që sëmundja ta mposhtë kurrsesi. Stela the se merr forcë nga vajza e saj, Harmonia, një kujtesë e vazhdueshme e asaj për të cilën ajo po lufton. E divorcuar prej disa vitesh dhe duke rritur e vetme vajzën e saj, Stela ka mësuar se si të balancojë përgjegjësitë e mëmësisë me kërkesat e një pune me kohë të plotë. Pavarësisht ngarkesës emocionale dhe fizike, ajo vazhdon të punojë, jo vetëm për të siguruar familjen e saj, por sepse puna i jep qëllimin që kërkon. Stela është tipi i gruas që nuk tërhiqet nga një sfidë, por përballet me fatkeqësinë me hir dhe guxim. Kanceri nuk i ka lëkundur vendosmërinë për të jetuar njësoj, pa e patur mendjen tek "kokrra" e huaj në trup. Nëna Amalia, e emocionoi Stelën përmes një video mesazhi ku përcolli forcën dhe dashurinë e madhe për vajzën e saj duke i dhënë kurajo me fjalë zemre. Lotët e Stelës rrodhën, teksa në studio mbërriti letra e motrës, Jorit, e cila tregoi dashurinë për motrën, kurajon dhe guximin e një shpirti që bën gjithçka për t'a parë sërish të buzëqeshur dhe të lumtur.
I ftuar në “Rreze Dielli” stomatologu Getoar Hoxha, i shpallur studenti më i mirë në botë për vitin 2024 nga Global Institute for Dental Education. Vetëm pak ditë më parë Getoari njoftoi i emocionuar dhe krenar se me përfundimin e Masterit klinik në Implantologji dhe Rigjenerim kockor në Los Angeles, California, fitoi edhe vendin e parë si studenti më i mirë në botë për vitin 2024 në këtë program nga Global Institute For Dental Education. Getoar Hoxha është nga Peja, ndërsa ka përfunduar studimet themelore në Universitetin e Prishtinës, Fakulteti i Mjekësisë, dega Stomatologji në vitin 2017. Që atëherë ai ka punuar si stomatolog në qytetin e Pejës ku vijon pa ndërprerë dhe studimet specializuese. Në vitin 2021 së bashku me doktor Besart Kondirolli hapën një klinikë dentare në Prishtinë dhe tashmë ai operon në Pejë dhe Prishtinë. "Jam shumë i lumtur që kam pasur mundësinë të ndaj këtë rrugëtim së bashku me kolegë të talentuar dhe punëtorë nga e gjithë bota. Ëndrrat bëhen realitet nëse punon për t’i realizuar ato", u shpreh Getoari.