Zonja Albana solli dy receta të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Meze me patëllxhanë dhe Sallatë pranverore.
Në rubrikën "Parashikimi i Yjeve", astrologu Jorgo Pulla bëri një analizë të detajuar për javën e tretë të muajit Maj, përkatësisht 19-25 maj, për 12-të shenjat e zodiakut. Sipas astrologut Pulla kjo javë do të sjellë ndryshime të rëndësishme për shumë shenja dhe do të ketë mjaft surpriza. Planetët sjellin mundësi të reja në dashuri, vendime të guximshme në punë dhe kthesa të papritura në financa! "Eshtë një javë e mirë, me ngjarje të favorshme dhe nuk na sjell shumë probleme të reja, të cilat edhe pse të pranishme do të dimë t’i zgjidhim. Kjo javë sjell mundësi të shkëlqyera, të cilat mund ta ndryshojnë jetën tonë për mirë! Është një periudhë jashtëzakonisht e favorshme për krijimin dhe fillimin e marrëdhënieve të rëndësishme, qofshin personale apo profesionale. Sigurisht, kjo javë ka dhe ulje-ngritjet e veta, karakterizohet nga nxitimi, ndaj kujdes, mos u nxitoni për të vepruar, matuni përpara çdo hapi që hidhni!", paralajmëron Pulla, duke vijuar me parashikimin e detajuar të yjeve për të gjitha shenjat e zodiakut.
Ajo duket si një lule e zakonshme, por Kalendula ose Kumaku është një thesar natyror që për shekuj me radhë ka shëruar trupin dhe qetësuar shpirtin. Nga plagët e vogla dhe ekzemat, deri te ulçerat, problemet hormonale, qetësimin e sistemit nervor, infeksionet bakteriale dhe inflamacionet e brendshme – kjo bimë medicinale është aleat i fuqishëm në çdo shtëpi. Sot, edhe shkenca moderne po konfirmon atë që mjekësia popullore e ka përdorur gjithmonë, sidomos në kozmetikë: kalendula nuk është thjesht një lule, por një ilaç nga natyra. Për këtë bimë medicinale flasim sot në "Bima dhe Shëndeti" me biofarmacistin Ylli Merja.