Emisioni i plotë ‘Rreze Dielli’, 19 Prill 2024 – Receta/ Pasioni për motorat i Leonard Ollit/ Misteri i datës së lindjes / Bisedë për librin

19 Prill, 15:26

Zonja Albana solli tre sugjerime recetash plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Pastiçe tradicionale me qumësht/ Supë me pulë, oriz dhe salcë domate / Petulla në letër pjekje.

E njohim si gazetar por dhe të angazhuar në politikë, ndërsa sot në studion e “Rreze Dielli” ka vendosur të prezantohet ndryshe, teksa futet në studio me motorin e tij…Lidhja me motorin e Leonard Ollit ka nisur në vitet 86-87 kur ai ishte adoleshent 18-20 vjeçar. Spunton e ka marrë nga kinematografia ku shikonte filma me motoristë, ishte pikërisht filmi “Easy rider” me Denis Hoper dhe Peter Fonder që e çoi në botën magjike të motorave. Gjatë viteve ’90 jetoi në Greqi, vend që shquhet në të gjithë Europën për adhurimin ndaj motorave, aty pasioni i tij u zhvillua dhe më tepër për të mos u ndalur më… Por sa i bukur aq dhe i rrezikshëm ka qenë ky pasion dhe aventurë motoriste për Leonard Ollin, i cili në studion e “Rreze Dielli” rrëfen dhe aksidentin që desh i mori jetën në nëntor të vitit 1998 në Selanik, ku falë kaskës arriti të shpëtonte, ndaj atë kaskë sot e ruan me fanatizëm.

Numri juaj i ditëlindjes është një nga pesë numrat në grafikun tuaj të numerologjisë që konsiderohen si “numra thelbësorë”. Numerologët besojnë se karakteri ynë dhe e ardhmja në masë të madhe caktohen me numra, përkatësisht datën në të cilën kemi lindur. Numri yt sekret, data e lindjes dhe misteri i saj! Cili është kuptimi i datës së lindjes sipas numerologjisë? Në studion e “Rreze Dielli” studiuesi i shkencave okulte dhe numerologjisë Jofiel Koço na tregon më shumë…

Historia e një djaloshi që nuk mund të dashuronte dhe e një vajze që nuk donte të binte në dashuri, por dhe historia e një vajze me probleme ushqimi që kalon nga anoreksia në bulimi, por që fsheh një problem të madh psikologjik. “Mes djemsh”, një libër mallëngjyes dhe rrëmbyes, është një histori e fuqishme për dashurinë e vërtetë, dashurinë për veten, si dhe vështirësitë e rritjes. Në studion e “Rreze Dielli” Aida Baro, kryeredaktore e Shtëpisë botuese "Pegi" na tregon më shumë për librin e fundit të sjellë shqip “Mes Djemsh”, pjesë e koleksionit “Fluturzat”, e shkrimtares Emma Noyes.