Zonja Albana solli dy sugjerime recetash plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Patëllxhanë të mbushur me djathë dhe ullinj / Byrek me kunguj të njomë pa petë.
Në rubrikën “Parashikimi i yjeve” astrologu Jorgo Pulla bëri një parashikimin të detajuar për 12 shenjat e zodiakut për javën 19-25 qershor 2023. Sipas astrologut Jorgo Pulla është një javë shumë e rëndësishme. Java nis me një fillim të fortë planetar pasi Jupiteri nga Demi formon një gjashtëkëndësh me Saturnin tek Peshqit. Ky ndikim astrologjik favorizon arritjen e qëllimeve dhe ndjekjen e ëndrrave tona. Ka këmbëngulje, durim dhe metodë në çdo gjë që vendosim dhe kjo na ndihmon t'i afrohemi më shumë se kurrë suksesit. Mund të shfaqen mundësi të jashtëzakonshme për sa i përket çështjeve dhe planeve financiare, pasi na jepet mundësia të hapim krahët dhe të realizojmë ëndrrat që na kanë mbetur në mendje për një kohë të gjatë. Në të njëjtën kohë, ne mund të mbyllim rastet e së shkuarës që nuk përjashtohen të na shqetësojnë. Vazhdimësia e javës mund të na sjellë disa pengesa dhe duhet të kuptojmë zanafillën e problemit që ne t’i japim zgjidhje përpara se të jetë vonë. Ndaj këshillohet për të gjitha shenjat e zodiakut, që të tregohen sa më të kujdesshme në veprimet e tyre si dhe në vendimet që do të marrin.
Në rubrikën “Bima dhe Shëndeti” me specialistin e bimëve mjekësore Ylli Merja u ndalëm në sëmundjen Crohn, sëmundje inflamatore e zorrëve e cila ndikon në aparatin tretës. Sëmundja Crohn është një lloj i sëmundjes inflamatore të zorrëve. Tek njerëzit me këtë sëmundje, sistemi imunitar e njeh si të huaj mukozën e traktit tretës dhe e sulmon atë duke shkaktuar inflamacion. Ky inflamacion shkakton zhvillimin e ulçerës dhe të gjakosjes tek mukoza e traktit tretës. Sëmundja Crohn prek zakonisht zorrën e trashë dhe pjesën e fundit të zorrës së hollë që quhet "ileum", por mund të prekë gjithashtu të gjithë traktin tretës. Ylli Merja tregoi se një higjenë jo e mirë në kuzhinë, një sistem imunitar i dobët, infeksionet mykotike dhe parazitare por dhe gjenetika, historia familjare janë disa nga shkaktarët e kësaj sëmundje inflamatore të zorrëve. Sipas specialistit të bimëve mjekësore Ylli Merja, nga mjekësia ende nuk është gjetur një mjekim i saktë. Përdorimi alternativ duhet të veprojë në përshtatje me simptomat.