Zonja Albana solli tre receta të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Gatim tigani me qepë të njoma dhe vezë / Gjellë vere me domate dhe perime / Bukëfiqe.
Në sezonin e verës duhet të tregojmë kujdes më të madh përsa i përket ushqimeve që konsumojmë, sepse rreziku i komplikacioneve në shëndet është më i madh se në stinët e tjera. Në fakt kjo është periudha më e mirë për të shijuar fruta dhe perime të freskëta të stinës, por gjatë kësaj kohe, ushqimet kanë tendencën të bëhen një vatër bakteresh që shumëfishohen shpejt dhe shkaktojnë një sërë helmesh. Moti i ngrohtë i prish ushqimet dhe ju detyron t’i hidhni ato në plehra, më shpejt se zakonisht. Për të shmangur një sërë sëmundjesh dhe efekte negative shëndetësore nga prishja e ushqimit dhe helmimi, është e rëndësishme që gjatë kësaj stine të mbahen parasysh dhe të ndiqen me kujdes disa rregulla dhe rekomandime. Ndaj në studion e “Rreze Dielli”, profesor Abdyl Sinani, na jep të gjitha këshillat e duhura, cilat janë ato ushqime që kanë rrezikun më të madh të kontaminimit dhe si të parandalojmë prishjen e shpejtë të ushqimeve në këto ditë përvëluese.
Tatuazhi, trendi që nuk njeh moshë… Nëse dikur para viteve ’90 ishin të paktë ata që mbanin nga një tatuazh në shpatull apo në gjoks dhe të gjithë meshkuj, në ditët e sotme duket se tatuazhet janë kthyer në trend, jo vetëm për të rinj, por për çdo moshë e çdo gjini. Në rrugët e Tiranës sheh të rinj, meshkuj dhe femra, të cilët kanë ‘skalitur’ në trupin e tyre vepra arti. Të tillë janë Mandi dhe Stela, të ftuarit e sotëm në “Rreze Dielli”, të cilët i bashkon pasioni i tatuazheve, por jo vetëm… se çfarë, na e zbulojnë në studion tonë. Stela Nikolla na tregon më shumë për kuptimet e tatuazheve të saj plot ngjyra, momente pikante nga jeta e saj, ndërsa Armand Jaho, një nga tatuatorët e parë në kryeqytet na tregon trendet e momentit si dhe rrëfen se është i surprizuar nga preferencat e turistëve të huaj që kërkojnë të kenë një kujtim nga Shqipëria për tërë jetën në trupin e tyre. Shprehjet shqiptare 'bes a bes', 'tu pa tu bo', tatuazhe me piramidën e Tiranës apo Shqiponjën, simbolin tonë kombëtar, janë disa nga punimet më të fundit që Mandi ka realizuar për turistët e huaj.