Zonja Albana solli tre receta të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Imam Bajalldi - Patëllxhanë të mbushur / Gjellë me bizele dhe patate / Sallatë me kuinoa.
Një histori prekëse e frymëzuese u rrëfye sot në emisionin "Rreze Dielli". Ishte Shtator i 2024, vetëm 44-vjeçare, Stela Nikolla diagnostikohet me kancer gjiri. Jeta nga ai moment merr një tjetër kthesë për të. Përballja me tumorin e gjirit e shokoi dhe tronditi, por i dha edhe forcë për t'a luftuar me të gjitha mënyrat, vajza e saj Harmonia ishte motivi dhe fuqia më e madhe. Sot Stela plot vetëbesim, edhe pse ndonjë pikë loti i rrjedh në faqe, është më e fortë se kurrë! Vetëm pak javë kanë kaluar nga operacioni dhe sfida më e vështirë e jetës së saj, heqja e dy gjinjve. “Mirënjohëse për gjithçka që kemi, për çdo frymëmarrje, çdo buzëqeshje dhe çdo copë paqe që na sjell kjo jetë! Kur gjithçka shkon mirë, mos harro ta mbushësh shpirtin me falenderim dhe besim edhe më të madh. Ti je dëshmia që kur beson në vete, jeta hap dyer të reja. Vazhdo të ecësh me zemër të qetë — gjithçka e bukur sapo ka nisur për ty!”, këto janë fjalët e Stelës, e cila me zemër të mbushur plot ndjenja, nuk harron të shprehë mirënjohjen për të gjithë ata që kanë qenë pranë saj në një nga periudhat më sfiduese të jetës.
David Kurti, një shqiptar që jeton në Boston të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, u gjet rastësisht në një park nga fotografi Brian Hoxha gjatë një projekti për dokumentimin e historive të suksesit të personazheve të panjohur. David ishte duke kaluar kohë në natyrë, kur Brian e afroi për t'i bërë një portret dhe për të dëgjuar rrëfimin e tij. Historia e Davidit, një emigrant që ka ndërtuar një jetë të suksesshme në SHBA, u bë pjesë frymëzuese e serisë fotografike të Brian Hoxhës. Nëpërmjet një lidhje skype për studion e “Rreze Dielli” David Kurti rrëfen rrënjët e tij me Shqipërinë, karrierën e tij si këngëtar, aktor dhe sipërmarrës.





















