Zonja Albana solli tre sugjerime recetash të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Tavë me domate jeshile / Supë me kungull vjeshtor / Mëngjes me vezë dhe kremviçe.
Sipas astrologut Jorgo Pulla duket se do të jetë një javë me ulje-ngritjet e veta, por na jep mundësinë që ne të stabilizojmë çështjet ekonomike financiare apo çështjet e dashurisë, të shikojmë ku kemi gabuar dhe të rregullojmë gjërat që ne duam. Ka një ndikim shumë të madh, duke pasur parasysh një kënd të vështirë që bën Mërkuri me Plutonin jep disi probleme apo debate dhe ndaj përgjatë kësaj jave duhet të jemi të vëmendshëm dhe të anashkalojmë çdo konflikt që mund të kemi. Pas datës 5 tetor kemi Mërkurin në Peshore, është një ndikim i mirë për të stabilizuar çështjet e punës, na jep mundësi të mira në fushën ekonomike financiare dhe dokumentacioneve. Pak më të vëmendshëm këtë javë duhet të tregohet shenja e Dashit dhe Ujorit, duhet të qëndrojnë larg firmosjes së kontratave si dhe larg debateve. Ndërsa shenjat më të favorizuara të javës janë Bricjapi, Binjakët dhe Peshorja.
Në rubrikën “Bima dhe Shëndeti” me specialistin e bimëve mjekësore Ylli Merja, në kuadër të datës 1 tetor, Dita Botërore e të Moshuarve, folëm për sëmundjet më tipike që prekin më shumë moshat e treta dhe trajtimin e tyre me metoda natyrale. Moshimi ose plakja është një proces fiziologjik dhe natyror gjatë të cilit ndodhin një sërë ndryshimesh. Popullsia e tё moshuarve në botë, 65 vjeç e lart, është duke u rritur me shpejtësi. Kujdesi shëndetësor parësor efektiv për të moshuarit është shumë i rëndësishëm për promovimin e shëndetit, parandalimin e sëmundjeve dhe menaxhimin e sëmundjeve kronike. Specialisti i bimëve mjekësore, Ylli Merja renditi sëmundjet tipike që prekin më shumë moshën e tretë si: tensioni arterial, dhimbjet reumatizmale, diabeti, problemet me veshkat, prostata, dobësimi i shqisave, pagjumësia, lodhja, anemia, përkujdesi për lëkurën, gojën dhe mykun, etj. Për të gjitha këto problematika Merja rekomandoi bimët mjekësore, frutat dhe perimet që ndihmojnë në mbajtjen në kontroll të secilës prej këtyre sëmundjeve.