Zonja Albana solli dy receta tepër të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Krepa me miell integral / Gjellë e freskët vere.
Në rubrikën "Parashikimi i Yjeve", astrologu Jorgo Pulla bëri një analizë të detajuar për javën e katërt të këtij muaji, 20-26 maj për të gjitha shenjat e zodiakut duke bërë një renditje nga vendi i dymbëdhjetë në vendin e parë. Pulla theksoi se kjo javë është mjaft e mbarë, por duhet të jemi të vëmendshëm se çfarë duhet të bëjmë dhe të jemi të kujdesshëm dhe jo të nxituar në vendimet që marrim. Eshtë një javë me ndikime të forta planetare të cilat japin shumë mundësi dhe favorizojnë si në marrjen e vendimeve të rëndësishme, në çështjet ekonomike financiare, në dokumentacione, në punë dhe karrierë, gjithashtu dhe në fushën shpirtërore.
Vitet e fundit gjithnjë e më shumë kemi dëgjuar të flitet se zorra është ‘truri ynë i dytë’, dhe në fakt jo më kot, pasi shumë studime kanë treguar rëndësinë e këtij organi, si sistemi kyç qendror i organizmit tonë. Ushqimet e pashëndetshme, por jo vetëm, bakteret, parazitët, etj, na bëjnë që të kemi një mosfunksionim të mirë të aparatit tretës dhe të mirëfunksionimit të zorrëve. Në rubrikën “Bima dhe Shëndeti” me specialistin e bimëve mjekësore Ylli Merja tregojmë disa receta dhe kura bimore për pastrimin natyral të zorrës së trashë. Detoksifikimi i trupit çon në një mënyrë jetese të shëndetshme, shfryjmë barkun, luftojmë shqetësimet e zorrëve dhe zgjidhim shumë probleme të tjera shëndetësore, edhe ato që nuk janë të lidhura drejtpërdrejtë me zorrën e trashë. Në studion e “Rreze Dielli” Merja na tregon dhe ushqimet më të mira probiotike dhe bimët mjekësore të cilat na ndihmojnë në ndërtimin e florës bakteriale të zorrëve.