Emisioni i plotë ‘Rreze Dielli’, 21 Mars 2025 – Receta/ Detoksi 9 ditor & Simbolet shëruese/ Kolonelia shqiptare në USA

21 Mars, 16:52

Zonja Albana solli tre receta të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Trishkë e sherbetosur / Thjerrëza me perime / Biskota të vogla me pançetë / Qumësht me fruta të thata – pija më e mirë per Iftar.

Në një botë ku jemi vazhdimisht të stimuluar nga teknologjia dhe informacioni, ndonjëherë harrojmë fuqinë e thjeshtësisë dhe shërimit natyral. A mund të na ndihmojnë simbolet, arti dhe teknikat e lashta për të çliruar trupin dhe mendjen nga stresi i përditshëm? Sot, në studion e “Rreze Dielli” Amadea Stefa dhe Martin Veigl, trajnerë të meditimit Tao, na treguan njohuri të çmuara mbi fuqinë e simboleve të shërimit, ndikimin e telefonave në shëndetin tonë mendor dhe emocional, si dhe rëndësinë e një detoksi të rregullt 9 ditor për trupin dhe mendjen. Gjithashtu, në studio treguam një demonstrim live të Tao Calligraphy, një teknikë që lehtëson dhimbjen fizike dhe emocionale. Si mund të shkëputemi nga mbingarkesa e botës moderne dhe të rigjejmë qetësinë? Cilat janë teknikat më të thjeshta, por më të fuqishme, për të çliruar stresin dhe për të balancuar emocionet tona?

Suzana Gjekaj, është shqiptarja e parë që merr gradën e koloneles në Forcat Ajrore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kjo gradë prestigjioze arrihet nga vetëm 1.8% e oficerëve të Forcës Ajrore, duke shënuar një moment të rëndësishëm në karrierën e saj të shquar ushtarake. Në një intervistë në “Rreze Dielli” ajo tregoi sesi u përzgjodh kolonele, rrëfen rrugëtimin e saj dhe sfidat në forcat ajrore amerikane në krye të 120 oficerëve. Me profesion dentiste, kolonelja tha se ndihet e lumtur që është shqiptare dhe këtë fakt e tregon me krenari kudo. E lindur në Amerikë, me prindër nga Malësia e Madhe, Suzana tregoi sesi familja emigroi në vitet ‘70, dëshirën e madhe dhe këmbënguljen e tyre për të mësuar fëmijëve gjuhën dhe traditat shqiptare.