Emisioni i plotë ‘Rreze Dielli’, 21 Nëntor 2023 – Receta/ Si të pastrojmë trupin nga metalet dhe toksinat/ Horoskopi javor nga Jorgo Pulla

21 Nëntor 2023, 16:31 | Përditesimi i fundit: 2023-11-21 16:31:27

Zonja Albana solli katër sugjerime recetash të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Njoki me gorgonzola dhe krem kungulli / Omletë furre me perime / Belushkë e skuqur me arra / Pure fasule sallatë.

Në rubrikën “Bima dhe Shëndeti” me specialistin e bimëve mjekësore Ylli Merja flasim për metalet e rënda në organizëm, problemet që na sjellin në shëndetin tonë dhe si t’i largojmë dhe pastrojmë organizmin nëpërmjet disa ushqimeve dhe bimëve mjekësore. Falë mënyrës moderne të jetës dhe produkteve të shumta të cilat i përdorim, në kohën e sotme jemi pothuajse të gjithë të ekspozuar ndaj helmeve të cilat në të kaluarën kanë kërcënuar vetëm pjesëtarët e disa profesioneve të caktuara. Metalet e rënda janë jashtëzakonisht helmuese për shëndetin e njeriut, por fatkeqësisht, pothuajse edhe nuk mund të shmangim kontaktin me to. Kur këto metale shtresohen më shumë seç organizmi mundet t'i tolerojë, fillojnë problematika të ndryshme shëndetësore. Specialisti i bimëve mjekësore Ylli Merja tregon se ku mund të gjenden më shumë këto metale dhe cilat janë disa nga shenjat që tregojnë praninë e toksinave në trupin tonë. Ushqimi i shëndetshëm është thelbësor, pasi balancimi i ushqimit të bazuar në artikuj minimalisht të përpunuar ndihmon trupin që të mbrohet nga helmet. Ylli Merja tregon një listë me ushqime, barishte dhe bimë mjekësore të cilat largojnë metalet e rënda nga trupi.

Në rubrikën "Parashikimi i yjeve" në emisionin "Rreze Dielli", astrologu Jorgo Pulla bëri një parashikim javor të detajuar për 12 shenjat zodiakale për periudhën 20-26 nëntor 2023. Sipas astrologut Jorgo Pulla është një javë me shumë ndikime planetare, do të ketë vështirësi për disa shenja dhe favorizime për disa të tjera. Kujdes dhe vëmendje duhet të kemi në disa debate në punë, në çështjet ekonomike nuk duhet të nxitohemi dhe sidomos kujdes në blerje. Astrologu Pulla në parashikimin e tij të horoskopit javor, tregoi klasifikimin e shenjave në bazë të ndikimit dhe vendosjes planetare nga vendi i dymbëdhjetë deri në vendin e parë.