Emisioni i plotë ‘Rreze Dielli’, 21 Shkurt 2025 – Receta/ Marrëdhëniet toksike në çift/ Pse paragjykojmë?

21 Shkurt, 15:21

Zonja Albana solli tre receta të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Musaka me presh dhe beshamel / Oriz me presh / Pite të shpejta.

Marrëdhëniet toksike janë një realitet i dhimbshëm për shumë gra në Shqipëri, ku dhuna dhe abuzimi shpesh shfaqen si pjesë e një cikli të vazhdueshëm. Shumë gra janë viktima të dhunës emocionale, fizike dhe shpeshherë tragjike, duke u përballur me izolim dhe frikë. Në këtë panel do të diskutojmë për sfidat që ato përjetojnë, ndikimin që ka shoqëria në pasivizimin e këtyre marrëdhënieve dhe mënyrat se si mund të mbështesim më shumë viktimat, duke ofruar zgjidhje dhe mundësi për daljen nga ky rreth i dhunës. Si mund të përkufizohet një marrëdhënie toksike dhe cilat janë disa nga shenjat e para që tregojnë se diçka nuk shkon? A ndikojnë faktorët kulturorë dhe edukata tradicionale në pranimin e marrëdhënieve të pashëndetshme? Pse shumë njerëz që janë në një marrëdhënie toksike e kanë të vështirë të largohen prej saj? Si mund të ndihmojmë dikë që është i/e bllokuar në një marrëdhënie të tillë, cilat janë hapat që duhet të ndërmarrë? Flasim në studion e “Rreze Dielli” me shkrimtaren Rita Petro, regjisoren Rozi Kostani dhe sipërmarrësen Arba Gramo.

Paragjykimi është një prani e heshtur, por e fuqishme në jetën tonë të përditshme. E hasim në bisedat e përditshme, në rrjetet sociale, në mënyrën si trajtojmë njëri-tjetrin dhe si gjykojmë ata që dallojnë nga ne. Por pse paragjykojmë kaq shumë? A është kjo një trashëgimi kulturore, një formë e mbrojtjes sociale apo një mungesë empatie dhe mirëkuptimi? Sot do të reflektojmë mbi këtë temë me të ftuara të veçanta, që do të ndajnë mendimet dhe përvojat e tyre mbi mënyrën si funksionon gjykimi në shoqërinë tonë dhe çfarë mund të bëjmë për ta ndryshuar. A jemi gati të shohim veten në pasqyrë dhe të pyesim: A jam edhe unë pjesë e kësaj kulture paragjykuese? Pse gjykojmë jetët e të tjerëve dhe për çfarë paragjykojmë më shumë? Pse njerëzit kanë prirje të gjykojnë, a është gjykimi një instinkt i natyrshëm apo një produkt i kulturës dhe edukimit? A ka ndryshuar mënyra se si gjykojmë me kalimin e kohës dhe me zhvillimin e rrjeteve sociale? Si ndikon paragjykimi në shëndetin mendor të atyre që janë objekt i tij? Në lidhje me këtë temë flasim në studion e "Rreze Dielli" me tre personazhe mjaft të njohur, ato janë tre zonja të forta dhe të emancipuara. A janë ndjerë ndonjëherë të paragjykuara shkrimtarja dhe poetja Rita Petro, aktorja dhe regjisorja Rozi Kostani dhe sipërmarrësja Arba Gramo?