Emisioni i plotë ‘Rreze Dielli’, 22 Prill 2025 – Receta/ Horoskopi javor/ Propolisi & Vaji i Rigonit, thesare të shëndetit

22 Prill, 14:22

Zonja Albana solli tre receta të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Petë misri me lëpjetë / Krepa me shije salçiçe / Perime furre të marinuara.

Në rubrikën "Parashikimi i Yjeve", astrologu Jorgo Pulla bëri një analizë të detajuar për javën e katërt të këtij muaji, 21-27 prill, për 12-të shenjat e zodiakut. Sipas astrologut Pulla, kjo javë do të vijojë me ndikime të forta planetare, duke na bërë të reflektojmë dhe të jemi më të kujdesshëm në hapat që marrim, kryesisht në ekonomi. “Një javë me ndikime të forta planetare, ku Saturni formon një kënd, i cili është i shkëlqyeshëm për të rishikuar prioritetet tona dhe për të parë nëse po shkojmë në drejtimin e duhur. Është një javë që na ndihmon të ecim përpara, gjithashtu do të kemi dhe ndikimin e Hënës së re në fundjavë, formuar në shenjën e Demit me pjesëmarrjen e Marsit nga Luani dhe Plutonit nga Ujori. Favorizohen fillime të reja dinamike, kryesisht preken shenjat si: Demi, Luani, Akrepi dhe Ujori”, thekson Pulla, duke vijuar më pas me parashikimin e detajuar të yjeve për të gjitha shenjat e zodiakut.

Në "Bima dhe Shëndeti" flasim për një nga produktet më të dëgjuara - propolisin e bletës, një nga medikamentet më të vjetra e më të njohura nga njerëzimi, një thesar i natyrës, i cili trajton dhe kuron një sërë problematikash shëndetësore. Por çfarë është në të vërtetë propolisi? Si prodhohet ai? Për çfarë e përdorim më së shumti? Po fëmijët a duhet ta përdorin? Si ta zgjedhim dhe si të dallojmë propolisin cilësor? Dhe mbi të gjitha, si duhet t'a përdorim për të marrë të gjitha vlerat terapeutike që mbart ky thesar, i tregojmë në studio me specialistin e bimëve mjekësore Ylli Merja.

Erëzat dhe bimët aromatike, ato që i shtojnë shije çdo pjate! I konsumoni të freskëta apo të thara, në çdo rast kanë një aromë dhe shije fantastike. Por a i dini vetitë e erëzave? Përveçse trashëgimtare të historisë antike ato janë të njohura që nga kohërat e lashta për efektet kurative për shumë problematika shëndetësore… Me specialistin e bimëve mjekësore Ylli Merja në "Rreze Dielli" ndalemi tek rigoni, bima që lulëzon në çdo vend të Shqipërisë dhe që bën mrekulli për shëndetin, me veti të mëdha antioksiduese dhe antibakteriale. Merja tregon dhe si të përftojmë nga rigoni, vajin e rigonit, efikas në luftimin dhe trajtimin e një sërë problematikash shëndetësore.