Zonja Albana solli tre sugjerime recetash plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Speca turli / Lakër e furrës me oriz / Lulelakër e fërguar në marinadë.
A e dini se ne humbasim rreth 50-100 fije flokësh në ditë, por edhe më shumë nëse tregohemi të pakujdesshëm në trajtimin e tyre? Por, ndonjëherë, ju kuptoni se edhe pse s’po ju bien flokët, ato po hollohen, bishtat duken gjithnjë të pashëndetshëm dhe floku juaj nuk po shkëlqen më si më parë. Ka disa arsye për këtë. Ju mund të jeni duke bërë gabime në përditshmëri që po ju dëmtojnë flokët, pa e kuptuar. Ndaj në studion e "Rreze Dielli" flasim me make-up artistin dhe parukierin e njohur në Tiranë, Olti Shulla, për kujdesin që duhet të tregojmë për flokët tanë, që nga larja, sa herë në javë këshillohet, tharja e duhur dhe gabimet që bëjmë. Me një rëndësi të veçantë është dhe krehëri apo furça e flokëve, si të përzgjedhim të duhurën. Po majat e djegura të flokëve sa herë duhen prerë? Këshilla për vajzat dhe zonjat që i krehin vetë flokët në shtëpi, Olti Shulla bën një apel për përdorimin e pjastrës. Këto dhe të tjera këshilla japim në studion e Rreze Dielli.
Pianisti shqiptaro - italian Eni Barbullushi solli koncertin e tij të parë në Tiranë me Orkestrën Simfonike të RTSH, me solistë flautisten Jonela Golemi dhe dirigjent Gridi Kraja. Pas një përvoje koncertore të sukseshme në Europë ai vjen për herë të parë në skenën shqiptare me një background të pasur artistik. Në studion e “Rreze Dielli”, pianisti rrëfeu emocionet përballë publikut shqiptar dhe dëshirën e madhe për t’u rikthyer me një tjetër projekt në vendin e tij të lindjes. I larguar nga Shqipëria në moshën 9-vjeçare, edukimi pedagogjik i tij muzikor vijoi në konservatorin G. Donizetti në Bergamo, ku paralel ndiqte edhe Akademinë Santa Cecilia. Ai ka arritur suksese të rëndësishme jo vetëm në Itali, por edhe në vende të tjera evropiane. Talenti i lindur u kultivua nga dy prindër artistë të sukseshëm, nëna e tij, pianistja e njohur Aksinja Gërbi dhe babai Fatmir Barbullushi, klarinetist. Përmes një videomesazhi surprizë, nëna e Enit e emocionoi në studio dhe e falenderoi për durimin, talentin dhe punën e jashtëzakonshme të djalit të saj për të arritur suksesin e merituar. Barbullushi është vlerësuar me disa çmime në konkurse ndërkombëtare. Projektet e ndryshme muzikore, në Itali, Stockholm, Portugali kanë fituar zemrat e publikut dhe e kanë bërë të njohur në Europë.