Zonja Albana solli dy receta të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Dhallanik me shtresa dhe Mëlçi me qepë, erëza dhe domate.
Në rubrikën "Parashikimi i Yjeve", astrologu Jorgo Pulla bëri një analizë të detajuar për javën e fundit të këtij muaji, 23- 29 shtator, për të gjitha shenjat e zodiakut. Sipas astrologut Pulla duket se do të jetë një javë me ulje-ngritjet e veta, por sa pozitive aq dhe e vështirë, na jep mundësinë që ne të stabilizojmë çështjet ekonomike financiare, të zgjidhim problematika, të shikojmë ku kemi gabuar dhe të rregullojmë gjërat që ne duam. Eshtë një javë me ndikime të forta planetare të cilat japin shumë mundësi dhe favorizojnë si në marrjen e vendimeve të rëndësishme, në çështjet ekonomike financiare, në dokumentacione, në punë dhe karrierë, gjithashtu dhe në fushën e dashurisë. “Vetëm kujdes ditën e mërkurë, pasi është dita më problematike e javës duke qenë se kemi një katërkëndësh të fuqishëm planetar” paralajmëron astrologu Jorgo Pulla.
Në ditët e sotme për shumë prej nesh, imuniteti është bërë më i rëndësishëm se kurrë. Për fat të mirë, rruga drejt një sistemi të fortë imunitar nuk është as e shtrenjtë dhe as e komplikuar. Është e nevojshme që shpeshherë të marrim masa për ruajtjen e sistemit imunitar të fortë e të qëndrueshëm ndaj faktorëve të jashtëm. Disa persona janë shpesh më të prekur nga ndryshimet klimaterike dhe si pasojë organizmi mund të humbasë imunitetin duke marrë viruse të ndryshme. Mënyra më e mirë për të forcuar sistemin tuaj imunitar është pikërisht aty në pjatën tuaj, në ushqimet që zgjidhni. Bimët dhe erëzat, në veçanti, janë përdorur me shekuj për qëllime mjekësore dhe mund të jenë një nga 'mjetet' tuaja më të fuqishme për rritjen e imunitetit dhe luftimin e virozave. Në studion e "Rreze Dielli" specialisti i bimëve mjekësore Ylli Merja, na tregon bimët më të mira antivirale si rigoni, piperi, pelini, çaji i malit, sherebela, dafina, mersina, mendra, borziloku, karafili, shega, qepa apo hudhra, të cilat janë të shkëlqyera për imunitetin dhe mund të përdoren në çajra apo kura për shëndetin.