Zonja Albana solli tre receta të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Trahanik sipas traditës/ Tavë me lakër turshi dhe kimë / Perime dhe erëza në fermentim.
Leximi nuk është vetëm një mënyrë për të marrë informacion, por një udhëtim që zgjeron mendjen, pasuron shpirtin dhe formon brezat e ardhshëm. Por sa po lexojnë sot fëmijët dhe të rinjtë? A po e kultivon shkolla dashurinë për librin apo leximi është kthyer thjesht në një detyrë të bezdisshme? Dhe çfarë roli luan familja në këtë proces – a është ende libri pjesë e përditshmërisë apo është zëvendësuar nga ekranet dhe rrjetet sociale? Në studion e “Rreze Dielli” me drejtuesen e shtëpisë botuese "Ideart" Anila Bisha, flasim mbi rëndësinë e leximit, sfidat që hasim në edukimin e lexuesve të pasionuar dhe rrugët për të rikthyer librin në qendër të vëmendjes. A është e ardhmja e leximit në rrezik apo thjesht po transformohet?
Edmond Murraj është prestigjator dhe iluzionist i njohur, i cili ka korrur sukses prej vitesh me “magjitë” e tij. Murraj jeton në Londër aktualisht, ka 30 vite si prestigjator ku ka bërë më shumë se 1400 shfaqje. Fillimisht ka qenë student në Akademinë e Arteve në Tiranë dhe në vitin ‘91 është larguar për në Greqi në kërkim të një jete më të mirë, ku ushtroi profesionin e prestigjatorit me shumë vështirësi dhe ku fitoi gjithashtu dhe profesionin e kuzhinierit, të cilin e ka ushtruar për vite me rradhë në një nga restorantet e Londrës. I ftuar në studion e "Rreze Dielli" prestigjatori Edmond Murraj shpreh dëshirën për t’u rikthyer përfundimisht në Shqipëri për të hapur një akademi prestigjature, si dhe na befason me ‘magjitë’ e tij duke na lënë pa fjalë me numrat e tij të shpejtësisë.