Zonja Albana solli dy sugjerime recetash plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Sallatë e ftohtë me makarona dhe perime / Qofte në pure patëllxhani me beshamel.
Sipas astrologut Jorgo Pulla, muaji Gusht është një muaj që kërkon vëmendje dhe kujdes. Kërkohet që përgjatë këtij muaji të jeni sa më realistë, me këmbë në tokë dhe të sigurtë në hapat që do të hidhni, pasi ndryshime të mëdha pritet të ndodhin në vjeshtë. Kujdes duhet të tregoni në firmosjen e dokumentacioneve, mos u nxitoni, shqyrtoni, analizoni mirë gjithçka, vetëm kështu nuk do gaboni! Muaji Gusht mund të jetë sa pozitiv, po ashtu dhe aq i 'rrezikshëm'. Ekonomia duhet të jetë fokusi më i madh përgjatë këtij muaji, ndërsa në fushën shpirtërore kujdes nga manipulimet. Në fushën e punës dhe karrierës, nëse ecni me plane të detajuara, shumë projekte mund të marrin rrugën e stabilizimit, vetëm kujdes nga keqkuptimet në marrëdhënie pune. Është një muaj i rëndësishëm, pasi çdo vendim që do të merret përgjatë kësaj periudhe do të ketë ndikim të madh në muajt që do të vijnë.
Në rubrikën "Bima dhe Shëndeti", me specialistin e bimëve mjekësore Ylli Merja folëm për fryrjet e barkut. Cilët janë shkaktarët kryesorë që ndikojnë në fryrjet e barkut, si mund t'i parandalojmë si dhe bimët medicinale që na vijnë në ndihmë për trajtimin e këtij problemi. Të gjithë në jetën tonë kemi ndjerë të paktën një herë ndjesinë e fryrjes së barkut. Përveç pamjes jo të bukur estetike, kjo ndjesi të krijon parehati dhe shqetësim në organizëm. Të ndjehemi të fryrë pas një vakti të bollshëm është mëse normale, por nëse fryrja e barkut bëhet e zakonshme dhe kthehet në kronike, atëherë duhet të kuptojmë shkaktarët e këtij problemi. Sipas specialistit të bimëve mjekësore Ylli Merja, njohja e shkaktarëve që na çojnë në fryrjen e barkut është hapi i parë për parandalimin si dhe për të nisur një trajtim për kurimin e kësaj problematike. Merja rekomandoi bimët më të mira, të cilat vijnë në ndihmë në trajtimin e këtij problemi.
Gjithashtu me specialistin e bimëve mjekësore Ylli Merja, folëm për nxirjen e shëndetshme të lëkurës në plazh. Pse disa njerëz vetëm skuqen, apo digjen dhe e kanë të vështirë të marrin ngjyrë nga rrezet e diellit? Si të aktivizojmë melaninën e trupit, përgjegjëse për nxirjen e lëkurës? Me ardhjen e stinës së verës ajo që të gjithë kërkojnë me siguri është një nxirje e shpejtë dhe e qëndrueshme. Së pari duhet të përgatitet lëkura ndaj rrezeve të diellit. Ajo duhet të mbahet sa më e hidratuar dhe disa ditë përpara se të shkojmë në plazh duhet bërë një pastrim i thellë i lëkurës, i cili ndihmon në zhdukjen e qelizave të vdekura duke bërë që nxirja të jetë më e qëndrueshme dhe uniformë. Specalisti i bimëve mjekësore Ylli Merja rekomandon disa vajra bimorë të cilët aktivizojnë dhe shtojnë melaninën. Gjithashtu ai dha disa këshilla si të trajtojmë lëkurën pas djegies në plazh si dhe këshilla për personat me shumë nishane.