Zonja Albana solli tre receta të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Frikase me mish qingji / Mëlçi sipas traditës së Vlorës / Pite të sheshta me raki.
Sot në 'Bima dhe Shëndeti' me specialistin e bimëve mjekësore Ylli Merja flasim për një bimë me një emër të veçantë, por me veti të mëdha kuruese, thundërmushka. Kjo bimë barishtore shumëvjeçare, me kërcell të mbuluar me push të hollë, me gjethe të dhëmbëzuara, të ngjashme me gjurmën që lë thundra e mushkës dhe me lule të verdha të mbledhura në majë të kërcellit rritet në vende me lagështi dhe është përdorur në mjekësi që në lashtësi kryesisht për problemet në aparatin respirator, si një qetësuese e kollës dhe problemeve në mushkëri. E pasur me vitamina dhe minerale kjo bimë antibakteriale pastron qarkullimin e gjakut nga toksinat e mbledhura, trajton sëmundjet e veshkave dhe të kanaleve urinare, efektive kundër gastritit dhe shumë e shumë problematikave të tjera shëndetësore. Mënyrën dhe dozën e përdorimit të thundërmushkës, kombinuar dhe me bimë të tjera për trajtimin e sëmundjeve të ndryshme, i tregojmë në studion e "Rreze Dielli" së bashku me specialistin Merja.
Në rubrikën "Parashikimi i Yjeve" në Rreze Dielli, astrologu Jorgo Pulla bëri një analizë të detajuar për javën e fundit të këtij muaji, 24-30 mars, për 12-të shenjat e zodiakut. Sipas astrologut Pulla, kjo javë do të ketë ndikime të forta planetare. “Duhet të tregohemi të matur dhe të kemi kujdes me fjalët, pasi java sjell keqkuptime dhe tensione në marrëdhëniet personale dhe profesionale, me Mërkurin dhe Afërditën në retrogradë te Peshqit. Eklipsi Diellor tek Dashi kërkon pastrim emocional, ndërsa Neptuni tek Dashi sjell zgjime të reja të brendshme për të gjithë. Tani është momenti dhe periudha që duhet të zgjohemi, të lëmë pas të kaluarën dhe të marrin vendime për nisma të reja. Ecni përpara, duke kthyer kokën pas për të mos bëre gabimet e së shkuares!”, paralajmëron Pulla, duke vijuar më pas me parashikimin e detajuar të yjeve për të gjitha shenjat e zodiakut.